Avokati i Popullit reagon ndaj shembjeve të dheut në Prishtinë

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin me gjendjen e krijuar pas shembjeve të njëpasnjëshme të dheut në komunën e Prishtinës, në lagjen Arbëria, me 10 qershor dhe më 11 qershor në lagjen e Muhaxhirëve.
Në njoftimin për media, thuhet se bashkëpunëtorët e Avokatit të Popullit, pas marrjes së njoftimit për rrezikun që u kanoset në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarëve që jetojnë në ato pjesë të qytetit, menjëherë kanë shkuar në lagjen Arbëria dhe në atë të Muhaxhirëve. “Në vendngjarje është vërejtur dëmtim i rrugës publike, çarje dhe rrëshqitje e një pjese të rrugës, si dhe afrim i tepruar i objektit pranë rrugës, trotuarit dhe objekteve të banuara përreth. Për më tepër, është parë nga afër dëmtimi i gypit të ujësjellësit nga veprimet dhe ndërhyrja e pakontrolluar e operatorit, duke lenë për 48 orë qytetaret pa ujë.
Shembja e dheut në të dy lagjet ka cenuar rëndë sigurinë publike dhe të drejtat e qytetarëve për mjedis të pastër e të sigurt, të drejtën e privatësisë dhe të familjes, lirinë e lëvizjes, si dhe të drejtën e pronës”.
Institucioni i Avokatit të Popullit fton organet kompetente, Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të respektojnë Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe të Ndërtimit, në mënyrë që të vendoset baraspeshimi në mes të zhvillimit urban të qytetit dhe gëzimit efektiv të të drejtave të qytetarëve, duke respektuar të drejtën për mjedis, të drejtën e pronës dhe lirinë e lëvizjes. “Gjithashtu i bëhet thirrje organeve kompetente për mbrojtjen e rendit dhe të ligjit që të ndërmarrin masat e duhura ndaj shkaktarëve të gjendjes së krijuar”./Indeksonline/