E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, gjatë shtatorit shuhen strukturat ilegale serbe në veri të Kosovës

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, udhëheqëse e Dialogut për zbatimin e marrëveshjes për normalizim nga data 10 deri më 14 qershor qëndroi në Bruksel ku po zhvillon bisedime për zbatimin në praktikë të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në agjendën e bisedimeve ishin çështjet e drejtësisë, sigurisë, procesi i krijimit të asociacionit dhe zgjedhjeve lokale.

Në përfundim të bisedimeve për këtë raund, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deklaroi se procesi i bisedimeve ka vajtur mirë dhe është krijuar një bazë e mirë që gjatë javës së ardhme të përfundojë Plani i detajuar i zbatimit të marrëveshjes, plan ky që do të parashohë obligimet e secilës palë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim, si dhe afatet kohore për realizimin e këtyre obligime. Obligimet e palës serbe kanë të bëjnë me zhbërjen e strukturave ilegale serbe në fushën e drejtësisë e të sigurisë, ku shuarja e plotë duhet të realizohet gjatë shtatorit, respektivisht më 1 shtator shuhen strukturat ilegale të drejtësisë dhe më 30 shtator ato të sigurisë. Po ashtu, është definuar i tërë procesi i zhbërjes, përmes një procesi gradual me përfundim në shtator, si dhe që pala serbe gjatë qershorit do të marrë vendim qeveritar për ndaljen e financimit të strukturave ilegale, ashtu siç parashihet në marrëveshjen për normalizim dhe planin për zbatim. Obligimet e palës së Kosovës lidhen me integrimin e individëve serbë në institucionet e sigurisë e të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Është paraparë që përmes një procesi gradual, duke respektuar procedurat dhe kriteret sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe duke marrë parasysh kapacitetet absorbuese, do të realizohet procesi i integrimit të qytetarëve serbë në institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës.

Në kuadër të obligimeve të palës kosovare është emërimi i komandanti rajonal për katër komunat me shumicë serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila pritet të bëhet në fillim të javës tjetër. Ne jemi zotuar që këtë obligim do ta realizojmë në afatin e paraparë dhe në harmoni me procedurat ligjore të Kosovës dhe me Marrëveshjen për Normalizim, respektivisht MPB-ja do ta bëjë emërimin, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri

Tahiri bëri të ditur se ka pasur përparime në çështjen e përgatitjeve për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe, si rezultat konkretet është krijimi ekipit menaxhues, i cili ka për obligim që të përgatisë procesin e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në katër komuna pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës. Anëtarët e ekipit menaxhues janë përfaqësues nga administrata komunale e katër komunave. Ekipit Menaxhues për themelimin e Associacionit do të jetë në këtë përbërje: Igor Kalamar, Ljubomir Mariq, Dragan Jablanoviq, Dejan Radojkoviq.

Po ashtu, gjatë ditës se djeshme janë zhvilluar takime me OSBE-në, ku përfaqësuesit e KQZ-së dhe ata të OSBE-së kanë diskutuar për rolin lehtësues të OSBE-së në zgjedhjet lokale, që do të mbahen në tërë Kosovën në vjeshtë.

KQZ-ja është ajo që sipas mandatit të vet do të realizojë procesin zgjedhor në tërë Kosovën, kurse OSBE-ja në këtë rast do të ketë një rol mbështetës apo ndihmues.

Bisedimet vazhdojnë javën e ardhshme duke filluar nga e hëna dhe sipas dinamikave të parapara nga BE-ja, pritet të përfundojnë nga gjysma e dytë e javës që vjen.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri kishte këtë përbërje: Dren Zeka, Këshilltar kryesor politik i ZVKM Tahiri, ndërsa Grupi punues për çështjet e drejtësisë ishte ne përbërje të: Ismet Kabashi (kryesues i grupit punues), Enver Peci, Fejzullah Hasani, Sali Mekaj, Arjeta Rexhaj, Donikë Qerimi, Albert Avdiu, Ehat Miftaraj dhe Ramadan Gashi. Grupi punues për çështjet e sigurisë: Rashit Qalaj, Bardhyl Jashari dhe Elona Cecelia. Grupi punues për çështjet e Asociacionit: Besnik Osmani (kryesues i grupit punues), Ruzhdi Halili, Visar Xani dhe Labinot Hoxha. Grupi Punues për çështjen e zgjedhjeve: Valdete Daka (kryesuese e grupit punues), Miradije Mavriqi, Abedin Mehmeti, Gazmir Raci dhe Qemajl Marmullakaj. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›