E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi nuk rri në sallë kur flasin Kurti dhe Krasniqi

(E plotësuar ) Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi derisa kanë folur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk ka qëndruar në sallën e Kuvendit.

Kjo është dalluar kur ka foluar kryetari i VV-së Albin Kurti dhe më vonë edhe deputetja Alma Lama. Ai nuk është kthyer për ta dëgjuar as kryetarin e parlamentit Jakup Krasniqi.

---

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti në foltoren e Kuvendit ka thënë se Kryeministri Taçi ka deklaruar se kurrë s’do të bisedohet për veriun e vendit, por tash po bisedohet më shumë sesa për veri, duke e shpërfaqur karakterin e një gënjeshtari. Pas kësaj, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ia ka tërhequr vërejtjen Kurtit për të mos përdorur fjalor joparlamentar.

“Thaçi është bashkëpunëtor me Serbinë. Thaçi s’e përfaqëson Kosovën, por veten. Ndërsa, Dacici e përfaqëson Serbinë. Pse nuk u fol për data të implementimit të marrëveshjeve edhe temat që duhet të diskutohen. Ose nuk i ka shtruar temat, ose ia kanë refuzuar”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se kryeministri serb, Ivica Dacic, do që të krijojë një asociacion të komunave serbe në Kosovë, ndërsa i kontrollon shqiptarët e Luginës së Preshevës me anët të Trupit Koordinues për Minoritetet.

---

AAK-ja ndërkaq nuk ka ndonjë kritikë për Thaçin dhe procesin.

“Në jemi aty ku kemi qenë, prapa deklaratave që i kemi dhënë. Hashim Thaçi po raporton ashtu sikur edhe obligohet me rezolutën të cilën e kemi votuar.”, ka thënë Ardian Gjini.

Ngjashëm edhe partneri i koalicionit AKR.

“Ne kërkojmë nga kryeministri që të ketë përkrahjen më të madhe për prej bashkësisë ndërkombëtare për veprimet e mëtutjeshme”, ka thënë deputetja e AKR-së Myzejene Selmani.

---

“Patëm rastin të dëgjojmë ripërsëritjen dhe ripërtypjen e deklaratave të mërzitshme të Hashim Thaçit.
Asociacioni po vendos vija etnike ndarëse. Kësaj nuk i thonë integrim por ndarje e brendshme. Kur thuhet ‘me shumicë serbe’ nënkuptohet.”, ka thënë deputeti i Lëvizjes vetëvendosje!, Liburn Aliu.

Ai thotë se ky proces është shumë i ngjashëm me autonominë.

“Kur i siguron territor dhe fondin e veçantë kësaj nuk ke si t’i thuash përpos autonomi. Por natyrisht Serbia kërkon edhe më shumë. Prandaj do të takoheni prapë”, ka thënë Aliu.

Injorimi i Preshevës, sipas Aliut, është veprim i turpshëm.

“Ju keni pranuar të takoheni me Daçiqin menjëherë pas poshtëripmit dhe turpit që bëri ai në Preshevë. Ata njerëz atje po shtypen e ju e quani të cinik reagimin tonë”, ka thënë Aliu.

----

 Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se LDK është e shqetësuar për mënyrën se si po shkojnë bisedimet. “Ne i kemi dhënë mbështetje por jemi të shqetësuar se ato vija që i kemi caktuar të mos shkelen”, ka thënë Beqiri.

“Ne jemi të vetëdijshëm që me ligje tona lejohet formimi i asociacioneve por pse kjo të formohet tani. LDK-ja është kundër çdo asociacioni ose institucioni që do të kishte kompetenca ligjvënëse”, ka thënë ai.

---

Thaçi në rreth 50 minuta ka folur për marrëveshjet e arritura në Bruksel prej bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Është arritur marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Si dhe ka filluar zbatimi i kësaj marrëveshjeje.
BE tani ka përzgjedhur një kompani për përzgjedhjen se si do të duken objektet në pikat kufitare. Kurse nga maratona prej 21- 24 shkurt, synojmë që të rrisim aktivitetin e që e rrisin bashkëpunimit rajonal”, ka thënë ai.

Kryeministri ka thënë s se ka njoftuar me kohë presidenten e vendit.

“Unë si kryeministër i votuar nga ju që të marr pjesë në këto bisedime. Ne kemi mbajtur pesë takime që do të kenë ndikim të madh në jetën e qytetarëve të të dyja vendeve por pa harruar dhimbjen dhe tmerrin që ka kaluar vendi jonë”, ka thënë ai.

Ai ka premtuar edhe zhbërjen e strukturave paralele. “Për më tepër ky është kushti për Serbinë që të shkojë në BE”, ka siguruar Thaçi.

Sipas tij, krijimi i Asociacionit të Komunave është në përputhje me ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Unë mbetem i përkushtuar që të jem pjesë e këtij procesi të vështirë”, ka thënë ai.
Ai ka përsëritur se nuk do të ketë model të Ahtisarit plus, status special ose autonomi.

---

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur me shkas të raportimit të kryeminsitrit Hashim Thaçi për bisedimet Kosovë-Serbi.

“Shpresoj se sot Vetëvendosja! nuk kanë pankarta, e incizime e bilbila edhe pse bilbila jeni bërë krejt”, ka thënë Thaçi duke nisur fjalimin e tij.

Ai ka folur edhe për aplikimet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Çdo njeri që ka mbajtur armë gjatë luftës do të konsiderohet veteran i UÇK-së dhe nuk do të lejoj ndarje ideologjike ose partiake të UÇK-së”, ka thënë ai./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›