E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi sërish anashkalon Prizrenin

Në tubimin solemn në shtëpinë e kulturës “Ukë Bytyçi“ në Therandë, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, me bashkëpunëtorët e tij, Hajredin Kuçi e Besim Beqaj, ka zyrtarizuar kandidaturën e prof. dr. Ramë Vataj për kandidat të PDK-së për kryetar të komunës së Therandës. Ky është një vendim që është ditur tash e disa muaj, qëkur Vataj e kishte marrë pëlqimin verbal që të jetë kanditat, përkatësisht në ditën kur është mbajtur Kuvendi zgjedhor i degës së këtushme të PDK-së, shkruan Zëri.

Profesor Vataj, aktualisht kryetar i degës dhe deputet në Parlamentin e Kosovës, është person që gëzon reputacion në komunën e Therandës, i cili për postin e të parit në Therandë, kishte konkurruar edhe në zgjedhjet e kaluara, duke marrë numër shumë të madh të votave dhe duke e sfiduar seriozisht edhe kryetarin aktual të Therandës, Blerim Kuçin.

Me “bekimin“ publik të kandidaturës së tij, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi u ka vënë pikë edhe disa zërave të cilët në degën e PDK-së kanë menduar se çështja e kësaj kandidature mund edhe të kontestohet, pasi që propozimi i dhënë në Kuvendin zgjedhor të degës ishte verbal dhe se duhej verifikuar edhe njëherë.

Gjatë qëndrimit të fundit në rajonin e Prizrenit, kryetari Thaçi ka marrë pjesë edhe në tubimin e PDK-së në Rahovec, ku po kështu në mënyrë solemne dhe publike në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Mensur Zyberi“ ka mbështetur kandidaturën e prof. dr. Idriz Vehapit për kryetar të komunës. Në fjalën e tij para pjesëmarrësve të shumtë, Thaçi ka thënë se me zgjedhjen e Vehapit do të implementohen shumë projekte të cilat do të mbështetet nga Qeveria e Kosovës.

Në rrugëtim nga Rahoveci për në Therandë, delagcioni i lartë i PDK-së me në krye liderin, Hashim Thaçi, është ndalur për “një pushim“ edhe në Prizren, ku janë freskuar në ambientet e qendrës tregtare “Abi “. Për dallim nga dy komunat tjera, drejtues të lartë të PDK-së në Prizren nuk janë takuar me strukturat udhëheqëse të degës së këtushme të PDK-së e as nu e kanë promovuar kandidatin e kësaj dege për kryetar të komunës.

Burime të gazetës bëjnë me dije se Hashim Thaçi në Prizren është takuar me një grup të vogël qytetarësh, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe Afrim Azuralxhiu dhe Alajdin Fusha, të dy këta emra që jozyrtarisht lakohen në këtë qytet për kandidatë të mundshëm të PDK-së për postin e kryetarit të Prizrenit./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›