BE samit të përbashkët me Kinën

Së shpejti do të organizohet një samit mes BE-së dhe Kinës, në kuadër të lënies pas të divergjencave dhe forcimit të bashkëpunimit. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri kinez Uen Zhiabao, gjatë një vizite në Bruksel, e para pas pesë vjetësh, si dhe nga kreu i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso. Riafrimi mes dy palëve është shënuar nga firmosja e disa marrëveshjeve bilaterale. Presidenti i KE-së Barroso është shprehur shumë i kënaqur. "Europa dhe Kina do të përfitojnë vetëm avantazhe nga ky bashkëpunim. Madje, ata që do të përfitojnë nga ky bashkëpunim, përvec Europës dhe Kinës, do të jenë edhe gjithë anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar. Asnjë nga sfidat globale që kemi përballë ditët e sotme nuk mund të zgjidhet pa bashkëpunimin e fortë mes BE-së dhe Kinës", është shprehur Barroso. Brukseli ishte etapa e tretë e turit europian që filloi nga Davosi i Zvicrës për kryeministrin kinez Zhiabao. Zhiabao, të enjten vizitoi edhe Gjermaninë. Ndërkohë që një grup aktivistësh kanë manifestuar për ngritjen e cështjes së Tibetit dhe të drejtave të njeriut në Kinë. Pekini zyrtar kishte anulluar më parë një samit kinezo-europian, që duhej të mbahej dhjetorin e kaluar në Lion të Francës, pas takimit të Nikolas Sarkozisë me Dalai Lamën.