E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi - opozitës: Më thirrni për debat por ikni nga ai

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar sot me akuza e kundër-akuza mes opozitës dhe kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi.

Përderisa deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kritikuar kryeministrin për deklarime të pavërteta se kinse po dëshirojnë të sulmojnë një komunitet të caktuar, kryeministri ka ripërsëritur edhe njëherë, dhe ka kërkuar të bëhen publike për takimet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të AAK-së me ministrat serbë.

I pari që ka filluar ka qenë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, i cili ka kritikuar kryeministrin për gishtin që i drejton Lëvizjes Vetëvendosje se po kërcënon një komunitet, që sipas tij nuk është e vërtet.

“Po flasim për atë pjesë të fjalimit të tij kur thotë, se ju drejtuat gishtin kundër një komuniteti. E konsideroj se kjo pjesë është jashtëzakonisht me shumë rreziqe, e sidomos kur kemi të bëjmë me një të pavërtetë. Kujt ia drejtojmë ne gishtin si Vetëvendosje dhe është e kundërta e asaj që thotë Qeveria”, ka thënë Aliu.

Për më tepër ai ka shtuar se Qeveria po donë bashkëjetesën me ato struktura.

Ai ka theksuar se kjo gjë prodhon ndarjen në baza etnike këtu në Kosovë, duke shtuar se në vend të reciprocitetit institucional qeveria krijon hapësirën për incidente.

Ka ardhur reagimi i kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se i kupton ndjenjat emocionale të ndonjë deputeti, por ka shtuar se integriteti territorial është i pacenueshëm, i njohur dhe pranuar ndërkombëtarit.

Ai edhe njëherë ka kritikuar opozitën për mungesë në seancën e djeshme, duke thënë se nuk kanë mundur të ballafaqohen me argumentet.

“Për disa ditë me radhë kërkuat kryeministrin në Kuvend, ju falënderoj për respekt. Në të njëjtën kohë disa theksuan se s’ka kuptim debati për situatën e sigurisë pa prezencën e kryeministrit. Por ishte tejet zhgënjyese kur ju e kërkoni kryeministrin, ai vjen në Kuvend për debat ballafaqim dhe menjëherë largoheni në mënyrë demonstrative, bojkotuese, në mungesë të argumenteve. Kjo të kthen në situatën, se gjithë ato deklarime bombastike për veriun kanë qenë të motivuara politikisht, me motive elektorale dhe mesazhe tensionimi të situatës”, ka thënë Thaçi.

Gjithashtu ai ka thënë se disa deputetë kanë kërkuar kthimin e tij nga Amerika, ndërsa ka shtuar se ata as që nuk mund të hyjnë fare në SHBA, e pse nuk mund të hyjnë ata e dinë vet.

Thaçi ka thënë se vrasja e Selver Haradinaj ka qenë akt kriminal dhe të gjitha autoritetet shtetërore janë duke punuar për zbardhjen e asaj vrasje.

Nga ana tjetër deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti ka thënë se për tema të tilla kurrë nuk është thirr të diskutohet pa qenë kryeministri.

Debati është duke vazhduar me akuza të rënda mes kryeministrit dhe deputetëve të opozitës.(Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›