E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaci- De Marnhac dy qendrime per situaten ne veri

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka qartësuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës gjatë takimit me shefin e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac. Ai është shprehur iI vendosur për të vazhduar kontrollin në dy pikat kufitare në veri. Kryeministri theksoi pas takimit se nuk do të tolerohet më krimi dhe kontrabanda në veri të Kosovës e sipas tij,  që nga 25 korriku Kosova ka hapur një kapitull të ri.

“Durimi ynë është keqkuptuar e nganjëherë edhe keqpërdorur. Diçka të tillë nuk mund ta toleronim më tutje. Së fundi me vendosmërinë tonë kemi arritur t’i japim fund status-quos të hidhur, e cila ka mbajtur peng jetën normale të qytetarëve që jetojnë në veri dhe për të mbajtur peng të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës”- tha Thaçi.

Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac ka bërë thirrje për qetësi ndërsa ka shprehur keqardhjen e thellë të këtij misioni për zhvillimet e fundit në veri. De Marnak tha se zgjidhjet duhet të gjendet përmes dialogut ndërsa bëri të qartë se çdo rezistencë është ilegale dhe si e tillë nuk do të tolerohet.

“Të gjitha format e dhunës nuk do të tolerohen. Kuptoj se ka një lloj frustrimi në veri, duke kuptuar mungesën e rendit dhe ligjit dhe doganor, por e vetmja për zgjidhje është dialogu. EULEX-i si gjithmonë ka mbështetur vendosjen e kontrollit doganor në gjithë Kosovën”- tha De Marnhac.

Në konferencën e përbashkët për shtyp nuk kanë rënë në sy dallimet e mëdha në mes të Qeverisë dhe EULEX-it të cilat janë shfaqur gjatë aksionit të policisë në veri. Të dy zyrtarët janë kujdesur për të paraqitur raportet të mira në mes tyre, megjithë kritikat e ashpra që kanë drejtuar ndaj njëri- tjetrit në pesë ditët e kaluara.

Thaçi i bëri thirrje EULEX-it që të veprojë në tërë territorin e jo vetëm në disa pjesë të tij, ndërsa De Marnak bëri thirrje për zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore. Në këtë konferencë kryeministri Thaçi ka shprehur gatishmërinë e Prishtinës për të vazhduar bisedimet ndërshtetëror me Serbinë, për çështje praktike, me intreres të popujve, paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›