E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu nen kontroll. Thaci Merr fund gjendja e status- quo

Ushtarët amerikanë të KFOR-it të cilët po mbajnë qetësinë në dy pikat kufitare në veri të Kosovës kanë kontrolluar mbi një orë edhe vetë shefin e delegacionit serb në bisedime me Kosovën, Borislav Stefanoviq dhe ministrin serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq.

Zyrtarët e lartë serbë janë ndalur dhe kontrolluar në pikën kufitare të Jarinjes derisa po shkonin nga veriu i Mitrovicës në Beograd për të marrë pjesë në një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit të Serbisë për situatën në veri të Kosovës.

Kontrolli ndaj dy zyrtarëve të qeverisë së Serbisë duket se ka qenë i papritur për ta. Stefanovic dhe Bogdanovic kanë deklaruar për mediat serbe se ata janë trajtuar si kriminelë nga ushtarët amerikan të KFOR-it, të  cilët sipas tyre, me armët automatike të mbajtura lartë dhe me zë të lartë kanë thirrur ata që të kthehen prapa derisa ata kanë dashur ta kalojnë kufirin pa iu nënshtruar asnjë kontrolli.

Zyrtarët serb e kanë dënuar kontrollin e tyre nga ushtarët amerikan duke thënë se veriu i Kosovës nuk është Irak e as qeveria e Serbisë nuk është armike e KFOR-it. Bogdanoviq ka shtuar se qeveria e Serbisë nuk do të heq dorë nga kërkesa e saj për të rikthyer gjendjen e mëparshme në veri të Kosovës.

Një ditë më herët qeveria e Kosovës e ka quajtur ilegale praninë e dy zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë në Kosovë dhe ka parlajmëruar ballafaqimin e tyre me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës. Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ndërkaq nuk përjashton mundësinë që të mos ulet më në tryezën e bisedimeve me Borko Stefanoviqin për shkak të qëndrimit të tij ilegal në Kosovë gjatë zhvillimeve në veri dhe përfshirjes së tij në ngjarjet që po ndodhin në këtë pjesë.

Nata në veriun e Kosovës ka kaluar e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident, pas tërheqjes së KFOR nga barrikada e vendosur nga qindra serbë në rrugën që të con në pikën kufitare të Jarinjës, në fshatin Rudarë.
Kryeministri i Kosovës, deklaroi gjatë paradites se kthimi nën kontroll i dy pikave kufitare në veri i jep fund gjendjes së status-quo në këtë pjesë të Kosovës, dhe se në këtë drejtim nuk do të ketë kthim prapa.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›