E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi : Dilni masivisht

Hashim Thaçi ftoi qytetarët e Skenderajt që të dalin masivisht në zgjedhjet e 9 janarit. Nga Express më 05 janar 2011 në ora 15:59

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shoqërohej nga nënkryetari Hajredin Kuçi, kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Ramadan Gashi dhe kryetari Sami Lushtaku, në ditën e parë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 janarit ka takuar banorët e Klinës së Poshtme të Skenderajt. Ai iu tha atyre, se zgjedhjet e 9 janarit janë tepër të rëndësishme për PDK-në dhe për vetë qytetarët e Drenicës, pasi që përcaktohet në masë të madhe edhe e ardhmja e sigurt e vendit.

Sipas Thaçit, zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë treguar nivel të lartë të demokracisë, pavarësisht defekteve në disa qendra votimi dhe manipulimeve të konstatuara, e që kanë rezultuar me përsëritjen e zgjedhjeve në disa komuna. Ai i ftoi banorët e Klinës së Poshtme që të dalin masovisht në zgjedhje dhe të votojnë për ata që mendojnë se do të jenë zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri në largim dhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, i ka ftuar qytetarët e komunës së Skënderajt që mos ta shikojnë përkatësinë partiake, por të dalin të gjithë në zgjedhje, duke qenë i bindur se PDK-ja do të fitojë bindshëm.

“E rëndësishme është që të dilni masovisht në zgjedhje, që procesi i votimit të kalojë i qetë, me një kulturë zgjedhore dhe demokratike. Votoni ata që mendoni se do të punojnë për ju, ndërsa kandidatët e PDK-së dhe vetë PDK-ja janë ata që do të jenë në shërbimin tuaj”, tha Thaçi.

Fushatën e tij, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi e ka vazhduar në lagjen “Fidanishte”, ku gjithashtu i ka ftuar banorët e lagjes që të dalin në zgjedhje në numër sa më të madh. Ndërsa, më vonë, Thaçi e vazhdoi fushatën edhe në disa fshatra të tjera të komunës së Skenderajt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›