E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi : Çekia do të lobojë për njohje të Kosovës

Kryeministri, Hashim Thaçi është takuar sot me zëvendëskryeministrin, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme të Çekisë, Karel Schwarzenberg.
 

Ky i fundit tha se Çekia do të vazhdojë të jetë edhe më aktive në funksion të mbështetjes së procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe të procesit të njohjeve të reja.
 

Në njoftimin për shtyp thuhet se është biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Çekisë i ka dhënë dhe po i jep shtetit të Kosovës.
 

Schwarzenberg njoftoi kryeministrin Thaçi se së shpejti Republika e Çekisë do të marrë kryesimin e Forumit të Vishegradit dhe në këtë kuadër edhe përmes këtij mekanizmi, Çekia do të ushtrojë ndikimin e vete që shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më shpejt.
 

Kryeministri Thaçi ka kërkuar nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Çekisë, që qeveria çeke të ushtrojë ndikimin e vete të rëndësishëm tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë në një periudhë sa më të afërt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›