Thaçi: 2010 ishte vit i sukseseve

Viti 2010 ishte vit i sukseseve të Kosovës në rrafshin e brendshëm edhe ndërkombëtar, thuhet në urimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi për Vitin e Ri 2011.
"Ishte vit historik i ngritjes ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies sociale për të gjitha kategoritë shoqërore në Kosovë, vit i vazhdimit dhe i fillimit të projekteve madhore në infrastrukturë dhe investime kapitale", tha Thaçi.
Sipas tij, "viti që po lëmë pas ishte vit i konsolidimit dhe afirmimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare".
"Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për drejtësinë e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, demokratik dhe sovran ishte e arritura më e madhe e vitit që po lëmë pas", thotë kryeministri në detyrë i Kosovës.
Sipas Thaçit, 2011 do të jetë vit i fillimit të realizimit të agjendës së integrimeve evropiane për Kosovën, vit i rritjes së mirëqenies sociale, si dhe i thellimit të besimit në vlerat e demokracisë, lirisë, përparimit, dinjitetit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës"