E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton: Do të punojmë për perspektivën evropiane të Kosovës

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton vlerëson se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë fondamental për paqe, siguri dhe stabilitet në tërë rajonin, por mbi të gjitha sipas saj do të jetë i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së njerëzve.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton në një intervistë për Kohën Ditore tha se në raportet mes BE-së dhe Kosovës zhvillimi më i rëndësishëm ishte miratimi i Rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York për mendimin e GJND-së rreth Kosovës.

“Ky ishte një hap i madh përpara si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Dialogu i cili mundësohet me këtë Rezolutë do të jetë krucial për të dyja palët, në mënyrë që të jenë në gjendje të ecin për realizimin e agjendës evropiane”, theksoi Ashton.

Duke folur për dialogun me Serbinë që pritet të fillojë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë, Ashton tha se dialogu është pa dyshim i rëndësishëm, por aq i rëndësishëm është edhe procesi solid zgjedhor në Kosovë.Ndërkaq, se kur Kosova mund të shpresojë që së paku të nisë dialogun e vizave me BE-në, ajo tha se shpreson se kjo mund të ndodh shumë shpejtë, megjithatë sipas saj kushtet për këtë gjë duhet të përmbushen së pari.

“Ka një qëllim të qartë që të niset dialogu për liberalizimin e vizave po ashtu edhe me Kosovën. Autoritetet në Prishtinë kanë bërë përparim të madh lidhur me këtë, por përmbushja e plotë e reformave mbetet kyç. Siç kemi parë në rastin e Shqipërisë dhe të Bosnjë Hercegovinës çështja e vizave ka treguar qartë se zbatimi i reformave konkrete do të sjellë rezultate të dukshme edhe për qytetarët”, tha Ashton.

Se çfarë mund të presin qytetarët e Kosovës në vitin 2011 në raport me BE-në, përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se mund të presin një vazhdim të përkushtimit të plotë për perspektivën në BE. “Me shpresë mund të presin edhe nisjen e dialogut të vizave, pjesëmarrjen në programet e BE-së dhe forcimin e raporteve tregtare. Por kjo varet po ashtu edhe nga Kosova. Siç thotë një fjalë ‘Për tango duhen dy palë’”, u shpreh ajo.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›