E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Dilemat e Beogradit, telekomi dhe energjia

11-08-2013 / Gazeta 55

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se duhet të punohet edhe më shumë në implementimin e marrëveshjes për IBM-në dhe se gjithçka që është e lejueshme me Kushtetutën e Kosovës duhet të jetë e pranueshme.
Ai e ka pranuar se ka ngecje edhe sa i përket telekomunikacionit dhe energjisë duke thënë se Beogradi ka ende dilema për ta pranuar marrëveshjen dhe se sipas tij nuk është hera e parë që Beogradi pretendon të zvarrit procesin për impelemtim.
Thaçi këto komente i bëri sot në Ferizaj gjatë inspektimeve të punimet në tre projekte të kësaj komune.
Me këtë rast kryetari i Ferizajt Agim Aliu ka thënë se me këto projekte është hapur një kapitull i re i investimeve në Ferizaj.
   
Daçiç: Kosova duhet të bëjë lëshime
Kryeministri serb, Ivica Daçiç ka deklaruar se nuk ka afat për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit sa i përket telekomunikacionit.
Në një prononcim për mediat serbe, Daçiç u shpreh se të dyja palët duhet të bëjnë lëshime për të gjetur një zgjidhje sa i përket telekomunikacionit.
“Po punojmë në këtë drejtim, por marrëveshje ende nuk ka.Energjia dhe telekomunikacioni janë të lidhura ngushtë dhe të dyja palët duhet të lëshojmë pe”,  theksoi Daçiç.
Ndërkohë autoritetet në Kosovë ende janë në pritje të përgjigjes nga Beogradi, i cili duhet të njoftojë Brukselin zyrtar për marrëveshjen ndërmjet dy shteteve mbi çështjen e telekomunikacionit.
Zyrtarët qeveritarë thanë se afati i fundit për Serbinë ka qenë dita e enjte, 8 gusht, për t’u deklaruar nëse e ka pranuar marrëveshjen.
Marrëveshja, parashikon që Kosova të marrë kodin ndërkombëtar +383, kurse Serbia fiton licencimin e një operatori serb të telefonisë celulare në Kosovë.
Beogradi insiston që operatorit t’i jepet licenca pa procedura, kurse Prishtina thotë se licenca është çështje edhe e tenderimit, por se është e gatshme që t’i lehtësojë procedurat për licencimin e një  kompanie serbe, e cila do të punonte si operator virtual, brenda rrjetit të dy operatorëve legjitim në Kosovë.
Nga ana tjetër, Brukseli gjithashtu nuk e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për telekomin mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ishte raportuar fillimisht.
Maja Kocijançiç, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme, Catherine Ashton e cila ka ndërmjetësuar takimet e kryeministrave Thaçi e Daçiç, ka thënë se ende nuk ka asgjë të re rreth kësaj teme.
Ndërkohë Prishtina dhe Beogradi kanë arritur deri më tani disa marrëveshje në kuadër të dialogut teknik në Bruksel, por zbatimi i tyre vazhdon të jetë i diskutueshëm.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 19 prill, gjithashtu po shoqërohet me ritëm të ngadalësuar zbatueshmërie.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›