Zgjidhja e përkohshme me toponimet, fluks në Kakavijë. Në Kapshticë lejohen vetëm fëmijët e lindur në Athinë
Pas urdhërit të Ministrisë së Jashtme greke, për të lejuar kalimin e të gjithë fëmijëve shqiptarë, pavarësisht problemit me toponimet në pasaportat e tyre, emigrantët shqiptarë ia drejtuar Shqipërisë për të kaluar pushimet verore.
Kjo ka bërë që në doganën e Kakavijës të ketë fluks të emigrantëve të cilët kërkojnë të kalojnë kufirin shqiptar. Mësohet se gjatë 24 orëve të fundit 7500 shtetas kanë kaluar kufirin shqiptar. Sipas zëdhënësit të policisë së Gjirokastrës, puna po ecën me ritme të shpejta pasi pala shqiptare po punon me 8 sportele. Numri i emigrantëve të rikthyer në Shqipëri gjatë kësaj vere ka qenë më i ulët se në vitet e tjera, për shkak të problemit të emërtimeve të vendlindjeve greke të fëmijëve shqiptarë. Ngërçi mes vendit tonë edhe atij grek për problemin e toponimeve mori dje zgjidhje të përkohshme. Ministria e jashtme greke njoftoi se do të lejohen të kalojnë kufirin të gjithë fëmijët e emigratëve shqiptarë pavarësisht emërtimeve aktuale në pasaporta deri në datën 5 shtator.
Kapshticë, lejohen vetëm fëmijët e lindur në Athinë
Pavarësisht një njoftimi se autoritetet greke kanë lejuar lëvizjen emigrantëve pa probleme deri në datën 5 Shtator, ky rregull nuk vlen në Kapshticë. Traun e kësaj pike kufitare me Greqinë e kalojnë vetëm fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Athinë. Të lindurit në zona të tjera të Greqisë, kthehen pas së bashku me familjet e tyre. Raste të kthimeve u shënuan edhe gjatë ditës së dielë, ndërsa preteksi mbetet i njëjti toponimet, ose thënë më thjeshtë shkrimi në gjuhën shqipe të qyteteve greke. Vetë emigrantët shprehin shqetësim në lidhje me këtë situatë e cila po merr përmasa të mëdha. Ata kërkojnë nga shteti shqiptar marrjen e masave për ti dhënë fund kësaj loje që bëhen në kurrizin e emigrantëve nga autoritet greke në mënyrë selektive. Prej më shumë se 1 viti Athina nuk ka lejuar kalimin në kufi të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, të lindur në Greqi, ndërsa kanë dhënë leje të përkohshme vetëm në raste festash apo siç ishin edhe zgjedhjet e 23 qershorit. Çështja e toponimeve ishte pjesë e bisedës edhe në takimet që kryeministri i ardhshëm Edi Rama pati gjatë vizitës së tij në Athinë me homologun e tij Samaras dhe ministrin e jashtëm Venizellos, por pavarsisht këtyre sërish emigrantët shqiptarë vijojnë të diskriminohen.