E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamasi kërkon dorëheqjen e Abbasit

Organizata radikale, Hamas, ka kërkuar dorëheqjen e presidentit palestinez, Mahmoud Abassit. Abbasi do t’i shet sërish iluzione popullit palestinez, nëse rifillon sërish negociatat me Izraelin, deklaroi zyrtari i Hamasit, Issat Al Rish.

Ai më tutje shtoi se Abbasit i mungon mandati kombëtarë, për të thënë pëlqimin për negociatat indirekte me Izraelin, të cilat është paraparë të zhvillohen katër muaj, nën mbikëqyrjen e SHBA-së.

Siç dihet, territori i Gazës kontrollohet nga Hamasi, ndërsa Bregu Perëndimor nga lëvizja Fatah e Abbasit.

“Populli palestinez e dëshiron një kryesi stabile, e jo një kryesi, e cila ofron një kompromis pas tjetrit. 18 vite të negociatave me Izraelin nuk kanë sjellë asgjë të mirë. Çfarë mund të pritet pas katër muajve?”, theksoi Rish.

Gjatë javës, Liga Arabe e mbështeti propozimin e të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell, për negociata indirekte mes Izraelit dhe palestinezëve, si hap i parë për të ringjallur negociatat e bllokuara paqësore mes dy palëve.

Abbas ka refuzuar fillimin e negociatave të drejtpërdrejta, përderisa Izraeli të mos i ndërpret aktivitetet nëpër kolonitë në Bregun Perëndimor.

Negociatat mes dy palëve u ndërprenë në dhjetor të vitit 2008, pas fillimit të ofensivës ushtarake të Izraelit në territorin e Gazës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›