Thaçi: E kaluara e lidershipit të Serbisë nuk premton shumë

Tomisllav Nikoliq, një ish ultranacionalist, është zgjedhur në muajin maj president i Serbisë. Në një intervistë për britaniken Guardian, ai kritikoi Kosovën, pavarësinë e së cilës, Serbia dhe aleatet e saj refuzojnë ta njohin.
Ai sinjalizoi se do të ketë një qëndrim më të ashpër sesa parardhësit në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimit Evropian, duke argumentuar se deri më tash Serbisë i është kërkuar që të bëjë më shumë lëshime në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin dhe se tash do të duhej që të kërkoheshin më shumë kompromise nga Prishtina.
Duke folur për pjesën veriore të Kosovës, në të cilën serbët nuk e njohin autoritetin e Prishtinës, Nikoliq ka thënë se çdo përpjekje e Prishtinës për të vendosur autoritetin atje do të çojë në eksodin e serbëve.
“Çka nëse serbët ikin, Kush do t’i pranojë rezultatet e një gjenocidi të tillë? Ky është një nga definicionet e gjenocidit: kur i dëboni 40 mijë njerëz, pa marrë parasysh a janë gra, burra, civilë apo ushtarë dhe kur e ndryshoni përbërjen etnike të terrirotit. Ky është gjenocid”, ka thënë Nikolliq.
“Ekziston rreziku që Prishtina të përgatitet që të shkojë aq larg. E vetmja forcë e armatosur atje, përveç atyre të komunitetit ndërkombëtar, është shqiptare. Jam i bindur, se ata do ta bënin këtë gjë menjëherë”, tha ai duke shtuar se ajo që i ndalon nga kjo gjë është prania e trupave të NATO-s.
Nikolliq theksoi një deklaratë të mëhershme se kurrë nuk do të ushtrojë autoritetin në Prishtinë dhe i bëri thirrje homologes kosovare, Atifete Jahjaga, që ta pranojë se nuk mund të qeverisë në Mitrovicën veriore.
I pyetur nëse kjo nënkupton ndarjen e Kosovës, ai është përgjigjur:
“Nuk e di, sepse po të më kishit thënë 20 vjet më parë se nuk do të kishte Jugosllavi nuk do t’ju kisha besuar. Nëse me kishit thënë se Serbia e Mali i Zi do të ndaheshin, po ashtu do t’ju kisha thënë se kjo është e pamundur. Po ashtu do të kisha thënë se Gjermania nuk do të bashkohet kurrë, por jeta na sjellë befasira. Nuk mund të udhëheq politikën duke i imagjinuar gjërat”, tha Nikoliq.
Gjatë luftërave që ndan Jugosllavinë në vitet e ’90-ta, Nikoliq ishte anëtar i lartë i Partisë Radikale Serbe. Lideri i saj, Vojisllav Sheshel aktualisht po gjykohet ne Tribunalin e Hagës për krime kundër njerëzimit dhe për vrasjet e kryera nga grupet paramilitare që i komandonte.
Sipas vëzhguesve politikë serbë, Nikoliq nuk ka marrë pjesë direkt në ndonjë krah paramilitar. Megjithatë, ai u mbrojt me vendosmëri në intervistën e Guardianit.
“Nuk kam kryer asnjë krim. Dhe nuk turpërohem për asnjë gjë që kam bërë që nga 1990 e deri më sot… Njësitet e ashtuquajtura paramilitare kanë qenë në përputhje me kushtetutën e Jugosllavisë”, tha ai.
“Në atë kohë, unë kam qenë i vetëdijshëm se secili duhet të bëjë çdo gjë për të mbrojtur njerëzit dhe popullin e vet… Të gjithë njerëzit në ish Jugosllavi kanë marrë pjesë luftë. Disa nga ta kanë fituar shtete; serbët e kanë ruajtur një shtet. Por, serbët nuk ia arritën që ta kryejnë detyrën e tyre”, tha Nikoliq.
Në javën e kaluar parlamenti serb miratoi si kryeministër Ivica Daçiqin, një ish zëdhënës i regjimit të Millosheviqit. E kaluara e Nikoliqit dhe e Daçiqit ka rritur frikën në Kosovë dhe në perëndim për ringjalljen e nacionalizmit militant serb.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka thënë Guardian-it se “e kaluara e lidershipit të Serbisë nuk premton shumë”.
“Megjithatë kjo ka ardhur si rezultat i proceseve demokratike që kanë ndodhur në Serbi dhe vullneti i popullit të atjeshëm duhet të respektohet. Nuk e kam ndërmend të gjykojë lidershipin aktual të Serbisë, duke u bazuar në veprat e tyre në të kaluarën, do t’i gjykojë në bazë të veprave që do të bëjnë tash dhe në veçanti në lidhje me raportet me Kosovën”, ka thënë Thaçi.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet e Nikoliqit se serbët e Mitrovicës do të rrezikoheshin nga qeverisja e Prishtinës.
“Askush nuk duhet ta harrojë faktin se dy të tretat e serbëve jetojnë në pjesën jugore të Kosovës dhe janë plotësisht të integruar në vetëqeverisje në nivelin lokal dhe marrin pjesë në të gjitha institucionet në nivelin qendror”, ka thënë ai. (rel)
Thaçi hedh poshtë deklaratat e Nikolliqit
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit serb, Tomisllav Nikolliq se serbët e Mitrovicës do të rrezikoheshin nga qeverisja e Prishtinës.
“Askush nuk duhet ta harrojë faktin se dy të tretat e serbëve jetojnë në pjesën jugore të Kosovës dhe janë plotësisht të integruar në vetqeverisje në nivelin lokal dhe marrin pjesë në të gjitha institucionet në nivelin qendror”, ka thënë Thaçi në një deklaratë për britaniken Guardian.
Në të njëjtën gazetë, Nikolliq ka thënë se serbëve në veriu iu kanoset gjenocidi nga ana e Prishtinës zyrtare