E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Jemi në koordinim me spektrin politik

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se është në koordinim të plotë me spektrin politik në mënyrë që amendamentet kushtetuese për mbikëqyrjen e pavarësisë të kalojnë me 2/3 e votave në Kuvend të Kosovës.

Gjithashtu, ai ka shtuar se takimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishte një mundësi e mirë që të prezantoheshin të arriturat e Kosovës.

Ai në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka thënë se tani po afrohet dita e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, e cila do të ndodh më 10 shtator dhe se për këtë dhe hapat e mëtejmë, ai ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me Përfaqësuesin Special Ndërkombëtar ICO, Peter Faith.

Sipas kryeministrit e gjithë agjenda është duke shkuar sipas planifikimit dhe se gjithçka po ecë sipas asaj që është menduar, punuar dhe planifikuar. Thaçi është shprehur i sigurt se ky proces do të përmbyllet me sukses të plotë me mbështetje të plotë të Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Gjithashtu, ai është shprehur se pret mbështetje nga gjithë spektri politik dhe shoqëria civile në mënyrë që kjo të përfundoj me sukses.

Thaçi ka theksuar se është në koordinim me spektrin politik në mënyrë që amendamentet kushtetuese të miratohen në Kuvend të Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve.

“Ne mund të kemi sukses të plotë me filozofinë e unitetit politik e qytetar për çka nuk dyshoj në spektrin politik. Jemi në koordinim me spektrin politik në mënyrë që ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për mbikëqyrjen e pavarësisë të kalojnë me 2/3 në shtator të këtij viti”, ka thënë ai.

Po ashtu, Thaçi ka shtuar se gjatë kësaj jave ishte një mundësi e mirë në Këshillin e Sigurimit të prezantohej progresi në Kosovë, sukseset në të gjitha fushat. Sipas tij, këto suksese po i hapin rrugë edhe përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.

“Ishte një mbështetje e plotë dhe e fuqishme e partnerëve të shtetit të Kosovës, në të njëjtën kohë edhe synimi ynë për të punuar për të ardhmen edhe më fuqishëm për thellimin e reformave në të gjitha drejtimet, për hapjen e agjendës evropiane për Kosovën dhe realizimi i synimit tonë për anëtarësimin në NATO, BE, OKB dhe organizatat tjera”, ka theksuar Thaçi.

Në rend të dite, të kabinetit qeveritar, kanë qenë disa pika të rendit të ditës që janë miratuar me shumicë votash, si Projektligji për Ratifikimin e Amendamentit të neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi reformën e Bordit Ekzekutiv.

Po ashtu edhe Projektligji për Rritjen e Kuotës së Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Është miratuar edhe Propozim-vendimi për liberalizimin e shërbimeve telekomunikuese mobile.

Gjithashtu, është miratuar Propozim-vendimi preliminar për shpronësim për Autostradën Vërmicë-Merdare, prona të cilat ndodhen brenda sektorit 8, zona kadastrale Uglarë, Komuna e Graçanicës, Zona kadastrale Fushë Kosovë, Komuna e Fushë Kosovës, zona kadastrale Krushevc dhe Obiliq, Komuna e Obiliqit dhe zona kadastrale Shkabaj dhe Prishtinë, Komuna e Prishtinës.

Po ashtu, është miratuar Propozim-vendimi për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë nr. 3/69 të datës 19 qershor 2009.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›