PSG nuk brengoset për barazimet

Pavarësisht investimeve të mëdha të bëra gjatë këtij afati kalimtar të verës dhe ardhjes së yjeve si Zlatan Ibrahimoviç, Thiago Silva e Ezequiel Lavezzi, PSG ka tubuar vetëm dy pikë nga dy duelet e para duke barazuar 1-1 me Lorientin dhe 0-0 me Ajaccion. Megjithatë, Leonardo ka refuzuar të shtypë butonin e panikut.
“Nuk jam i brengosur. Kemi futbollistë të shkëlqyeshëm. Kampionati ynë nuk varet nga këto dy barazime. Jemi klubi i vetëm në Francë që ka ndryshuar praktikisht gjithçka”, deklaroi Leonardo për të përditshmen sportive franceze L’Equipe. Ish futbollisti dhe trajneri i Milanit, tani në rol zyrtar të PSG, ka dhënë edhe mendimin e tij rreth fair-playt financiar të UEFA-s.
“Duhet të gjendet një ekuilibër. Nëse një investues dëshiron të shpenzojë para në klub e UEFA thotë jo, çka duhet të bëjmë? Personalisht nuk e di. Por, duhet marrë shembullin e skuadrave që janë ngjitur në nivelin më të lartë pas investimeve të bëra”, përfundoi ai.