Thaçi: Jo bisedime të fshehta me Beogradin për Mitrovicën

Prishtinë, 14 Gusht, NOA - Kryeministri kosovar,
Hashim Thaçi, përmes një prononcimi për mediat, i ka cilësuar si spekulime të
gjitha deklarimet në media dhe ato të opozitës se për veriun e Kosovës po
diskutohen forma të autonomisë jashtë Pakos së Ahtisarit.
Ai ka hedhur poshtë në këtë mënyrë akuzat që kanë mbërritur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, se po bëhen bisedime të fshehta nga qeveria e Kosovës, me autoritetet e Beogradit, në të cilat sipas anëtarëve të saj, janë përfshirë edhe negociatat për veriun e Kosovës.
Deklaratat e tilla Thaçi i ka bërë gjatë një
vizite në Mitrovicë, ku ka deklaruar se kjo pjesë e Kosovës do të integrohet
bazuar veprimet që janë në harmoni me Kushtetutën dhe Pakon e Ahtisarit.
Tani do të investojmë në një proces për integrimin e qytetit por në të njëjtën kohë edhe për integrimin dhe bashkëpunimin e gjithë qytetarëve për një jetë të re, për një Mitrovicë të re, Mitrovicë të bashkuar dhe unike, ka thënë Thaçi, duke premtuar në Mitrovicë ndarjen e 5 milion eurove për ndërtimin e shtëpive për banorët që duan të kthehen në lagjen Kroi i Vitakut.
n.e/NOA