Thaçi: Kosova hapi një kapitull të ri

Në këtë konferencë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se Kosova po e përmbyllë një kapitull dhe po e hap një të ri në historinë e saj.
“Po e përmbyllim një kapitull të historisë më të re të Kosovës për të hapur vizionin e shtetit të bërë dhe demokratik. Po e hapim një faqe të re të historisë sonë, të synimit të qytetarëve të Kosovës, që si popull i lirë dhe i dinjitetshëm dhe i barabartë, të bëhen pjesë e familjes ës madhe evropiane. Ne po e realizojmë një ëndërr të kamotshme për liri, pavarësi e demokraci, për të cilën punuan e sakrifikuan gjenerata të tëra gjatë historisë sonë. E ndërtuar si vullnet i popullit me përkrahjen e pakursyer ndërkombëtare, Kosova ka kaluar një rrugë jo pa vështirësi. Dallimet tona i kemi shndërruar në përparësi dhe pa harruar të kaluarën tonë të dhimbshme po e ndërtojmë të tashmen për t’i hapur rrugë të ardhmes sonë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se shteti i Kosovës i ka rrënjët e thella në vlerat evropiane, ku shtet ndërtimi ynë është i bazuar në parimet e larta të demokracisë, të respektimit të lirive dhe të drejtave dhe me barazi për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Jahjaga ka shtuar se e ardhmja e Kosovës është e sigurt si pjesë e pandashme e Evropës. Sipas saj, rruga jonë është rruga e integrimit dhe ajo është e ndërtuar se bashku me Bashkimin Evropian.
Ajo i ka bërë thirrje BE-së që të flasë me një zë vendet e rajonit, me theks të veçantë për Kosovës, pasi që, sipas saj, kjo do t’u ndihmojë shumë përafrimit të këtyre vendeve.
“Bashkimi Evropian duhet të flasë me një zë për rajonin, e në veçanti për Kosovën, sepse kjo ndihmonte në përafrimin e dallimeve në mes të vendeve”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë po ashtu se dita e sotme është ditë historike për vendin, duke shtuar se vendin e presin edhe shumë sfida të mëdha.
“Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne, nga sot e tutje sfidat e shumta e të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës. Mirëpo, janë këto sfida të zakonshme të shteteve të pavarura të shoqërive të përgjegjshme, janë sfida të kuptueshme, të pranueshme dhe të tejkalueshme. Pikërisht, këtë e shoh si moment tepër me rëndësi në historinë e shtetit tonë të ri, momentin kur arritëm që të trajtohemi të barabartë nga të tjerët dhe që veten ta përjetojmë të barabartë me të gjithë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se fundi formal i mbikëqyrjes së pavarësisë e mundëson këtë. Ajo mundëson që përmes këtij trajtimi të barabartë të rritet vetëdija jonë mbi përgjegjësitë e përbashkëta që kemi ndaj qytetarëve, ndaj fqinjësisë dhe ndaj mbarë botës demokratike.
Thaçi po ashtu ka thënë se prej sot Kosova nuk do ta ketë më Grupin Drejtues Ndërkombëtar, por nuk do të ketë as hapësirë për t’u arsyetuar dhe në këtë drejtim ai ka shtuar se sukseset e ardhshme do të shpërblehen, porse edhe dështimet do të ndëshkohen.
Në këtë konferencë një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Pieter Feith, deri dje mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës, i cili ka thënë se dje ishte vetë dëshmitar i përmbylljes së një kapitulli të fundit për Ballkanin, duke shprehur kënaqësi që është pjesë e një konferencë në të cilën Republika e Kosovës e hap një kapitull të ri.
“Dje pas dite në aktin e fundit si përfaqësues civil ndërkombëtar në mbikëqyrjen e implementimit të pakos së Ahtisaarit kam qenë dëshmitar i përmbylljes së kapitullit të fundit për Ballkanin dhe jam i kënaqur që marrë pjesë në këtë konferencë për fillimin e ri të Kosovës në kapitullin e ri dhe këtë nuk do ta bëj më si një përfaqësues civil ndërkombëtar, por si një qytetar civil i Bashkimit Evropian”, ka thënë ndër të tjera Feith.
Konferenca po vazhdon gjatë tërë ditës./Kosovapress/
Ahtisaari: Fundi i mbikëqyrjes, kapitull i ri për Kosovën
“Me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur shpresojmë se mund të mbyllim kapitullin e Kosovës së pavarur”, ka thënë ish-presidenti finlandez dhe projektuesi i pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisaari gjatë fjalimit të tij në konferencën me temën “Kaptinë e mbyllur në Ballkan”, e cila po mbahet pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (GDN) për heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Ish-presidenti Ahtisari sot ka qenë në humor të mirë, kur gjatë fjalimit të tij tregoj edhe disa batuta. Duke e vlerësuar veten si fans të futbollit, ka thënë se ai dhe futbollisti anglez, David Backam kanë një element të përbashkët përfundimin e karrierës me lavdi.
“Nuk e dini që është edhe një element lidhur me këtë sepse unë dhe David Beckam kemi një problem të njëjtë se si të pensionohemi me lavdi”, ka theksuar Ahtisaari.
Më pas ai ka thënë se Kosova pas heqjes së mbikëqyrjes, duhet ta tregojë veten si një shtet i pavarur.
“Me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur shpresojmë se mund të përmbyllim kapitullin e Kosovës së pavarur. Sot jam i lumtur që i jam bashkëngjitur këtij procesi për mbylljen e kapitulli të pavarësisë së mbikëqyrur dhe hapjen e kapitullit të ri të Kosovës së pavarur. Kosova duhet të tregojë veten si një shtet i pavarur me të gjitha përgjegjësitë dhe maturitë e një shteti. Ky është kapitull në të cilin Kosova e luan rolin e vet konstruktiv në regjion dhe Kosova në lidhje të mira me Bashkimin Evropian”, ka thënë Ahtisaari.
Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova dhe Bashkimi Evropian janë një pjesë e pandashme e këtyre proceseve.
Lidhur me pranimin e Kosovës si pjesë e BE-së, Ahtisaari ka thënë se BE-ja duhet ta gjejë një mënyrë se si t’i pranojë këta dy milionë njerëz në gjirin e saj.
“Kosova dhe Bashkimi Evropian janë pjesë e pandashme, jo për shkak të kalkulimeve politike, por për arsye të realitetit të pandryshueshëm të pozicionit të Kosovës. Në mënyrë ekonomike, politike Kosova është pjesë e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mënyrë për të pranuar këta dy milionë njerëz, të cilët banojnë shumë afërt. Disa mendojnë se kjo është një problem për Bashkimin Evropian, por unë konsideroj se shumë më shumë do ta shohim këtë si një rast, si një mundësi”, ka thënë ai.
Ish-presidenti finlandez ka thënë se Kosova duhet të ndiej lidhjen normale me të gjitha vendet fqinje.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme pas fjalimit kyç të presidentit, Martti Ahtisari ka qenë edhe një konferencë “Tranzicioni në kohën e globalizimit”, ku kanë folur disa ministra të Jashtëm nga vendet e ndryshme të botës. /kosovapress/
Pavarësi komplet
Nga sot, pavarësia e Kosovës nuk do të jetë e kushtëzuar. Institucionet e vendit i morën komplet kompetencat që i kishte deri më tash Zyra Civile Ndërkombëtare. Udhëheqësit politikë thanë se kjo është një ditë historike, e miqtë e pavarësisë, në krye me Presidentin e SHBA’së, Barack Obama, e uruan popullin e Kosovës për këtë arritje të rëndësishme.
Shtetit të Kosovës, prej të hënës, i është hequr mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë.
Vendimin e ka marrë Grupi Drejtues Ndërkombëtar, pas mbledhjes së fundit që e ka mbajtur në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Vendet anëtare të GDN’së kanë vlerësuar se Kosova e ka përmbushur Planin e Ahtisaarit, në bazë të të cilit dokument është shpallur pavarësia e mbikëqyrur katër vjet e gjysmë më parë.
Konfirmimin e ka dhënë udhëheqësi i deritashëm i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith dhe Kryeministri Hashim Thaçi, pas takimit përfundimtar të Grupit Drejtues Ndërkombëtar.
Pas përfundimit të takimit, të të gjithë Drejtorëve për Ballkanin të 25 vendeve që kanë qenë pjesë e GDN’së dhe mysafirët e tjerë janë shfaqur në oborrin e Qeverisë për të bërë fotografinë e fundit të përbashkët.
Nga ndërtesa e Qeverisë kanë dalë hartuesi i Dokumentit të Pavarësisë së Kosovës, Martti Ahtisaari bashkë me Kryeministrin Thaçi, Ambasadorin Frank Wisner e Wolfgang Ischinger.
Secili prej mysafirëve ka qëndruar mbi flamujt e vegjël të vendeve përkatëse të vendosur në platonë në mes objektit të Qeverisë dhe Kuvendit.
Pas kësaj ngjarjeje, shumica prej mysafirëve ia kanë mësyrë Kuvendit, ndërkohë që Kryeministri Hashim Thaçi e Pieter Feith kanë mbajtur konferencën e fundit të përbashkët.
“Pavarësia e Kosovës është përmbyllur”, ka thënë Feith, edhe në gjuhën shqipe.
“Po qysh s’u kry”, ka thënë në anën tjetër, Kryeministri Hashim Thaçi, i pyetur se a është zbatuar thënie e Ditës së 17 Shkurtit, “Bac u kry”.
Edhe në paraqitjen e fundit, Thaçi dhe Feith e kanë gjuajtur njëri – tjetrin me fjalë, kur kanë folur për Veriun e Kosovës.
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare që është mbyllur bashkë me përfundimin e mbikëqyrjes, ka thënë se për dështimet në pjesën më problematike të Kosovës duhet të pyetet Kryeministri Thaçi. Sikur që duhet të pyetet edhe tash e tutje.
Ndërkombëtari që ka pasur fuqi ekzekutive mbi të gjitha institucionet ka marrë përgjigje menjëherë nga Thaçi. Ky i fundit ka thënë se Veriu i Kosovës do të jetë hendikep në karrierën e Feithit.
Por, edhe Thaçi edhe Feith kanë thënë se me Veriun duhet të merren institucionet e gjithëpushtetshme të Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare duke përfshirë edhe Presidentin amerikan, Barack Obama, e kanë uruar Kosovën, me rastin e fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë.
Një reagim ka ardhur edhe nga udhëheqësit e Serbisë, të cilët kanë thënë se nuk do njohin pavarësinë, edhe pa mbikëqyrje.
Ahtisaari: Gjithçka është në duart tuaja
Për katër vite e gjysmë, sa herë është përmendur pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, është përmendur edhe emri i Martti Ahtisaarit. Ky njeri ka udhëhequr bisedimet Kosovë – Serbi dhe ka hartuar dokumentin mbi të cilin funksionon shteti më i ri në Europë.
As ditën kur është shpallur përfundimi i planit të tij, Ahtisaari nuk i ka ndalur krahasimet, figurat dhe tregimet kur ka folur për Kosovën.
Kësaj radhe nuk e ka marrë shembullin e hajnit dhe kuletës, por ka përmendur cigaren të cilën e ka krahasuar me ndërkombëtarët.
Ka thënë se edhe cigarja është njëfarë lehtësuesi, sikur që ndërkombëtarët kanë përkrahur Kosovën, por në të njëjtën kohë nga të dyja ka edhe indikacione negative.
“Sikur edhe cigaret, edhe mandatet ndërkombëtare ofrojnë lehtësim, por kanë efekte anësore të dëmshme dhe mund te rezultojnë në varshmëri të rrezikshme”, ka thënë ai.
Por, sipas tij, 10 Shtatori e dëshmon të kundërtën e metaforës së cigares derisa tash mbikëqyrësit ndërkombëtarë po zëvendësohen me dikë tjetër.
“Suksesi që e kremtojmë sot është i jashtëzakonshëm. Tani çdo gjë është në duart tuaja”, ka shtuar ai.
Fjalë të mira për fundin e mbikëqyrjes kanë thënë edhe dy ish-ndërmjetësuesit, amerikani Wisner dhe gjermani Ischinger. Madje ky i fundit ka bërë thirrje për rend, ligj dhe luftë korrupsionit si garanci për të ecur Kosova drejt BE’së.
Për vizionin e Kosovës për integrime në BE dhe NATO kanë folur Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi.
“Vizioni ynë si popull dhe si vend është Europa, ku bëjmë pjesë si kulturë dhe si civilizim, të jemi pjesë e dinjitetshme dhe e barabartë, synimi i të gjithë neve është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ne si shtet dhe si shoqëri do t’i plotësojmë të gjitha parakushtet, standardet dhe reformat e nevojshme që këtë vizion tonin ta bëjmë sa më shpejt realitet”, është shprehur Presidentja.
Për progres ka folur edhe Kryeministri.
“Ndonëse progres i madh është shënuar dhe kemi bërë shumë hapa përpara, Kosova e vitit 2012 nuk është ende Kosova e ëndrrave tona. Nuk është ajo Kosovë që duam t’ua lëmë trashëgim fëmijëve tanë. Liria dhe pavarësia janë parakushte për zhvillim, por ato nuk janë të vetëmjaftueshme. Zotohemi që bashkërisht do të punojmë për t’i realizuar objektivat, qëllimet tona, për t’u anëtarësuar në NATO dhe për t’u integruar në BE”, ka deklaruar Thaçi.
Por, fjalime me fjalë të mira për ndërkombëtarët nuk ka thënë Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka hedhur përgjegjësinë te misionet e huaja që nuk kanë arritur as pas një dekade të vendosin rendin dhe ligjin edhe në Veriun e barrikaduar.
“Ne i përmbushëm obligimet tona sipas Pakos së Ahtisarit, por prezenca ndërkombëtare në Kosovë nuk arriti t’i përmbushë obligimet në Veri të vendit. UNMIK’u për 10 vjet atje toleroi ndërhyrjen e Beogradit dhe krijimin e strukturave kriminale e ilegale, të cilat edhe sot i mbajnë peng të drejtat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Tek ura e Mitrovicës është ngritur dhe mbahet akoma një monument i shëmtuar si simbol i ndarjes e izolimit, simbol i urrejtjes e kërcënimit, i quajtur trishtueshëm barrikadë”, ka thënë Krasniqi.
10 Shtatori – datë me rëndësi
Heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë është ndër tri datat më të rëndësishme për historinë e re të Kosovës - pas Deklaratës së 17 Shkurtit 2008 dhe Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, të datës 22 korrik të vitit 2010.
Ndryshe, mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë po ndodh pak ditë pas miratimit të ligjeve dhe ndryshimeve kushtetuese që i kanë hapur rrugë largimit të kompetencave të ndërkombëtarëve dhe kalimin e tyre te vendorët.
Tash e tutje, udhëheqësit e Kosovës do t’i kenë të gjitha kompetencat për të drejtuar shtetin dhe për të gjetur zgjidhje edhe për pjesën më problematike – Veriun.
Kosova është bërë shtet më 17 Shkurt të vitit 2008, pas disa raunde bisedimesh mes Prishtinës dhe Beogradit, rezultati i të cilave ishte zero.
Deri më tash, Kosova i ka ndërtuar gati të gjitha institucionet e një shteti, por pa ushtrinë dhe shtrirjen e autoritetit në Veriun e Kosovës.
Shteti i dytë i shqiptarëve në Ballkan është njohur nga shumica e vendeve të botës, duke përfshirë SHBA’në dhe 22 vende të BE’së. Por, Kosovën, përveç një numri shtetesh, vazhdojnë mos ta njohin as Rusia, Kina dhe Serbia, e cila vazhdon ta pengojë shtetin e ri.