Integrimi në BE, tranzicioni i fundit për Kosovën

Në këtë konferencë kanë qenë panelist ministra të Jashtëm të disa vendeve të ndryshme të botës.
Shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti ka thënë se Ballkani dje ka bërë një hap të rëndësishëm dhe domethënës për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara dhe për të hapur një kapitull të ri prosperiteti, integrimi dhe bashkëpunimi në ruajtjen e paqes.
Për më tepër, ai ka shtuar se dhënia fund mbikëqyrjes së Kosovës për shqiptarët është e rëndësishme se konsiston me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Sipas tij, për popullin e Kosovës dita e djeshme do të mbetet në memorien si dita, ku ai nisi një kapitull të ri të historisë së tij në të cilën shkruan për të vendosur për të ardhmen e vet.
Ministri i Jashtëm shqiptar ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik dhe njëherë largimin njëherë e përgjithmonë të strukturave kriminale.
“Ecuria dhe vullneti për të zbatuar këto marrëveshje të arritur në bisedime kanë qenë dhe janë një dëshmi e vizionit evropian të qeverisë së Republikës së Kosovës. Kosova e pavarur, Kosova sovrane tashmë është një realitet i pamohueshëm, subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare, një faktor i rëndësishëm dhe i stabilitetit në rajon. Ne dëshirojmë që marrëveshjet e arritura në 9 raunde në bisedimet teknike të zbatohen sa më shpejt pa ekuivokë dhe me efikasitet, përfshirë këtu edhe largimin njëherë e përgjithmonë të strukturave kriminale që pengojnë lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës”, ka theksuar Panariti.
Nga ana tjetër ministri i Financave të Turqisë, Mehmet Simsek ka thënë se sfida më e madhe për Kosovën është arritja e një shkalle të lartë të bashkërendimit me Bashkimin Evropian.
Për më tepër ai ka vlerësuar lartë progresin që ka bërë Kosova gjatë këtyre viteve, duke bërë tash themelet e forta të një shteti.
“Kjo periudhë tranzitore është edhe periudha e pavarësisë së mbikëqyrur do të thotë e ka mundësuar dhe do të thotë kemi themele të forta në këtë drejtim dhe konsideroj që do të ketë kualitet. Ne e dimë se Kosova ka bazë të fortë dhe ka një rrugë të gjatë të progresit”, ka thënë Simsek.
Ndërkaq ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova kur të anëtarësohet në vitin 2020 në Bashkimin Evropian do të jetë edhe tranzicioni i fundit i saj.
“Në vitin 2020 ne besojmë fuqishëm se Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Një gjë e dimë, Bashkimit Evropian që i bashkohet Kosova pas 8 vitesh, 10 vitesh nuk do të jetë Bashkim Evropian që e kemi sot, por unë besoj në atë fazë ne do të anëtarësohemi tërësisht si anëtar i barabartë në Bashkimin Evropian. Unë do ta jetoj personalisht edhe tranzicionin e fundit në jetën time”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ndryshe, gjatë ditë sotme pritet të mbahen edhe disa konferenca të tjera me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit. /kosovapress/