Kosova hapi një kapitull të ri

Në këtë konferencë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se Kosova po e përmbyllë një kapitull dhe po e hap një të ri në historinë e saj.
“Po e përmbyllim një kapitull të historisë më të re të Kosovës për të hapur vizionin e shtetit të bërë dhe demokratik. Po e hapim një faqe të re të historisë sonë, të synimit të qytetarëve të Kosovës, që si popull i lirë dhe i dinjitetshëm dhe i barabartë, të bëhen pjesë e familjes ës madhe evropiane. Ne po e realizojmë një ëndërr të kamotshme për liri, pavarësi e demokraci, për të cilën punuan e sakrifikuan gjenerata të tëra gjatë historisë sonë. E ndërtuar si vullnet i popullit me përkrahjen e pakursyer ndërkombëtare, Kosova ka kaluar një rrugë jo pa vështirësi. Dallimet tona i kemi shndërruar në përparësi dhe pa harruar të kaluarën tonë të dhimbshme po e ndërtojmë të tashmen për t’i hapur rrugë të ardhmes sonë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se shteti i Kosovës i ka rrënjët e thella në vlerat evropiane, ku shtet ndërtimi ynë është i bazuar në parimet e larta të demokracisë, të respektimit të lirive dhe të drejtave dhe me barazi për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Jahjaga ka shtuar se e ardhmja e Kosovës është e sigurt si pjesë e pandashme e Evropës. Sipas saj, rruga jonë është rruga e integrimit dhe ajo është e ndërtuar se bashku me Bashkimin Evropian.
Ajo i ka bërë thirrje BE-së që të flasë me një zë vendet e rajonit, me theks të veçantë për Kosovës, pasi që, sipas saj, kjo do t’u ndihmojë shumë përafrimit të këtyre vendeve.
“Bashkimi Evropian duhet të flasë me një zë për rajonin, e në veçanti për Kosovën, sepse kjo ndihmonte në përafrimin e dallimeve në mes të vendeve”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë po ashtu se dita e sotme është ditë historike për vendin, duke shtuar se vendin e presin edhe shumë sfida të mëdha.
“Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne, nga sot e tutje sfidat e shumta e të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës. Mirëpo, janë këto sfida të zakonshme të shteteve të pavarura të shoqërive të përgjegjshme, janë sfida të kuptueshme, të pranueshme dhe të tejkalueshme. Pikërisht, këtë e shoh si moment tepër me rëndësi në historinë e shtetit tonë të ri, momentin kur arritëm që të trajtohemi të barabartë nga të tjerët dhe që veten ta përjetojmë të barabartë me të gjithë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se fundi formal i mbikëqyrjes së pavarësisë e mundëson këtë. Ajo mundëson që përmes këtij trajtimi të barabartë të rritet vetëdija jonë mbi përgjegjësitë e përbashkëta që kemi ndaj qytetarëve, ndaj fqinjësisë dhe ndaj mbarë botës demokratike.
Thaçi po ashtu ka thënë se prej sot Kosova nuk do ta ketë më Grupin Drejtues Ndërkombëtar, por nuk do të ketë as hapësirë për t’u arsyetuar dhe në këtë drejtim ai ka shtuar se sukseset e ardhshme do të shpërblehen, porse edhe dështimet do të ndëshkohen.
Në këtë konferencë një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Pieter Feith, deri dje mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës, i cili ka thënë se dje ishte vetë dëshmitar i përmbylljes së një kapitulli të fundit për Ballkanin, duke shprehur kënaqësi që është pjesë e një konferencë në të cilën Republika e Kosovës e hap një kapitull të ri.
“Dje pas dite në aktin e fundit si përfaqësues civil ndërkombëtar në mbikëqyrjen e implementimit të pakos së Ahtisaarit kam qenë dëshmitar i përmbylljes së kapitullit të fundit për Ballkanin dhe jam i kënaqur që marrë pjesë në këtë konferencë për fillimin e ri të Kosovës në kapitullin e ri dhe këtë nuk do ta bëj më si një përfaqësues civil ndërkombëtar, por si një qytetar civil i Bashkimit Evropian”, ka thënë ndër të tjera Feith.
Konferenca po vazhdon gjatë tërë ditës./Kosovapress/