E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Luftëtari nuk e lëshon flamurin

(E plotësuar) Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në fund të debatit që është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, pas raportimit të tij për takimin me kryeministrit serb, Ivica Daçiq, ka marr flamurin kombëtar që ia kishte lënë Lëvizja Vetëvendosja, duke thënë se luftëtari nuk e hedhë flamurin si leckë. Por ka ardhur reagimi i nënkryetarit, Glauk Konjufca i cili ka thënë se nuk e ka hedhur flamurin, por e ka lënë në foltore që kryeministri ta bëjë betimin.

Kryeministri i vendit, në fund të debatit, ka marr fjalën duke thënë se ka dëgjuar me vëmendje kritikat e deputetëve, por ka kërkuar nga ta që mos të japin vetëm kritika, por edhe ndonjë këshill. Madje ai ka thënë se në kuptimin elektoral nuk i ndihmon atij takimi me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, por siç ka thënë ai, këtë e bënë për të mirën e vendit dhe qytetarët e kuptojnë këtë.

Ai ka marr flamurin e lënë nga Vetëvendosje, duke thënë se kjo është në traditën dhe rregullat e luftëtarit të lirisë.

“Këtu u fol për histori edhe për betime, unë jam betuar njëherë dhe qëndroj shumë krenar dhe pas atij betimi jetësor. Në atë betim timin lidhet vullneti i qytetarëve të Kosovës, prandaj nëse dikujt i ka mbetur merak është çështje të tij, por dua të theksoj se një luftëtar nuk e lëshon flamurin nga dora si leckë. Prandaj në shenjë të ruajtjes së krenarisë dhe dinjitetit kombëtar unë e marr flamurin dhe e mbaj në dorë. Kjo është në traditën e popullit tonë, por edhe me rregullat e luftëtarit të lirisë”, ka theksuar Thaçi.

Për më tepër ai u ka thënë deputetëve të Vetëvendosjes se janë ata që për 13 vite mbjellin frikë dhe urrejtje tek qytetarët.

Gjatë debatit të sotëm janë përmendur emra të ndryshëm që i përkasin historisë, e që, sipas kryeministrit, janë emra që nuk i kanë sjellë asgjë të mirë popullit të Kosovës.

“Këtu u përmenden edhe personalitete të ndryshme historike prej Pashiqit, Esat Pashës, Zogut, Kara Gjorgjerviqit, Titos ... Asnjërit prej këtyre shqiptarët nuk ja kanë parë hajrin. Prandaj unë ju ftoj që të koncentrohemi në vlerat tona kombëtare. T’i ruajmë ato vlera t’i realizojmë qëllimet tona dhe vizionin tonë. Se kush është Zogist, Qemalist kjo punë i takon historisë edhe në kuptimin ideologjik edhe të përpjekjeve. Me këtë logjikë nuk e di se di do të vlerësonim Ismajl Qemajl Beu me 1912, por sot krenohemi të gjithë se në vitin 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë aktuale zyrtare, por jo e shqiptarëve”, ka deklaruar ai.

Por nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se nuk e ka hedhur flamurin, por e ka lënë aty që kryeministri ta jap betimin që nuk do të ketë autonomi substanciale për veriun e vendit.

“Unë nuk e hedha flamurin. Mendoj që e kam lënë të palosur në foltore. Foltorja nuk është shportë e bërllogut po është një pjesë e dedikuar për me fol deputetët edhe kryeministri dhe unë e lash aty të palosur flamurin aty me qëllim ju të vendosni dorën aty dhe të betoheshit se këtë e presin qytetarët e Kosovës, që nuk do të ketë kurrfarë autonomie për veriun e Kosovës. Kjo duhet të jetë garanci, duhet të jetë sigurim i qytetarëve të Kosovës që janë të shqetësuar prej zërave ndërkombëtar”, ka theksuar Konjufca.

Madje, ai nuk ka qenë në dijeni nëse kryeministri Thaçi gjatë luftës ka dhënë betimin.

“Sa i përket betimin ju thatë që e keni bërë më 1999. Nuk e di a e keni bërë apo nuk e keni bërë. Mendova këndë me pyet për këtë farë çështje... Njëherë mendova Berat Buzhalën figurën tuaj emblematike partiake, por nuk mu dok i përshtatshëm për këtë pyetje. Po mendoj që Rexhep Selimin më duhet me pyet për këtë punë”, ka deklaruar ai.

Pas gjithë këtij debati, seanca ka vazhduar me pikat e tjera të rendit të ditës, respektivisht Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku të gjitha grupet parlamentare janë dakorduar që t’i kthehet ky projektligj Qeverisë së Kosovës. /kosovapress/

Thaçi merr flamurin e lënë nga VV

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në fund të debatit që është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës pas raportimit të tij me kryeministrit serb, Ivica Daçiq, ka marr flamurin kombëtar që ja kishte lënë Lëvizja Vetëvendosja, duke thwnw se ushtari nuk e hedhë flamurin si leckë.

Në shenjë respekti për këtë flamur ai e ka mbajtur në dorë, ndërsa ka shtuar se ushtari nuk e hedhë flamurin si leckë.

Thaçi ka kërkuar nga deputetët që mos të japin vetëm kritika, por të japin edhe ndonjë këshill që do të i ndihmonte atij në këto bisedime.

Ndërkohë për Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë se janë këta njerëz që kanë ngjallur frikë dhe ankth që 13 vite.

Gjithashtu ai ka kërkuar që të mos ndjellet përçarja në prag të festave të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe në pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës./Kosovapress/

Thaçi: Serbia s'mund të integrohet në BE pa i zhbërë strukturat ilegale

Kryeministri Hashim Thaçi e ka informuar sërish Kuvendin e Kosovës në lidhje me takimin e tij të dytë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq të mbajtur më 7 nëntor në Bruksel nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Zbardhja e fatit të personave të pagjetur të luftës, zbatimi i Marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, hapja e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd, pastaj çështja e financimit të strukturave ilegale nga ana e Serbisë në veri të Kosovës, dhe çështje tjera, sipas Thaçit kanë qenë temat e takimit të dytë me homologun e tij serb, Daçiq.

Duke u ndalur tek hapja e zyrave ndërlidhëse, Thaçi tha se Beogradi ka hezitime, por si u shpreh ai, pritet që të ketë përparime në takimin e radhës.

Thaçi tha se Serbia nuk do të mund të integrohet në Bashkimin Evropian pa i zhbërë strukturat ilegale të ngritura në Kosovë.

Në kuadër të temave të diskutuara me kryeministrin serb Daçiq, Thaçi tha se është diskutuar edhe çështja e formimit të një policie të veçantë që do të përkujdeset për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë.

Kjo është hera e dytë që kryeministri Thaçi informon Kuvendin në lidhje me takimet e tij me homologun serb, Daçiq. Sikurse edhe në seancën e kaluar, Thaçi ka marrë kritika të ashpra për këto takime nga deputetët e Vetëvendosjes, përderisa subjektet tjera kryesisht mbështesin këtë dialog të filluar në nivelin më të lartë politik me Serbinë.

E informon Kuvendin për takimin me Daçiq'in

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sot e informon Kuvendin e Kosovës për takimin e dytë të tij të zhvilluar në Bruksel me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.

Kryeministri Thaçi për detajet e takimit të dytë ka informuar Presidenten Jahajga, partitë PDK-në, LDK-në, AAK-në, ambasadorët e Kunitit, si dhe ata të vendeve të BE-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›