E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Nuk kemi kapacitete për t’i plotësuar të gjitha nevojat e qytetarëve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se fillimi i procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën, e cila i hapë asaj perspektivën evropiane, por, sipas tij, është proces që kërkon edhe shumë reforma.

Ai këto komente i bëri të hënën në takimin e tretë të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donatorëve, duke shtuar se nevojat e qytetarëve të Kosovës për kushte më të mira i tejkalojnë kapacitetet që tash për tash i ka Kosova në përmbushjen e këtyre kërkesave. Ndërsa, shefi i Zyrës Ndërlidhëse i Bashkimit Evropian në Kosovë, Christof Stock, ka thënë se Republika e Kosovës i ka shfrytëzuar donacionet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova në këtë vit ka marrë disa sinjale të mira, të cilat e afrojnë atë me Bashkimin Evropian. Si sinjal të mirë e ka përmendur fillimin e procesit për liberalizimin e vizave, të cilin ai e quajti si proces të domosdoshëm, por që ngërthen në vete edhe shumë reforma, të cilat Kosova duhet t’i bëjë gjatë kësaj rruge.

“Një sinjal shumë i rëndësishëm i perspektives evropiane të Kosovës, është edhe fillimi i procesit të liberalizimit të vizave të qytetarëve të Kosovës. Janë këto dy segmente shumë të rëndësishme për Kosovën, ku njëra përbën rregullimin e tregut të brendshëm, dhe tjetra përmirësimin adekuat në fushën e sundimit të ligjit. Domosdo që të dyja këto procese janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kërkojnë reforma të gjithëmbarshme në fushën e legjislacionit, ndërtimit të institucioneve, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe komunitetit pakicë që jetojnë në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se ky vit paraqet një përparim shumë të madh për Kosovën në aspektin e agjendës evropiane. Kryeministri tha se Kosova ka mirëpritur raportin e Progresit të Komisionit Evropian dhe vlerëson lartë qëndrimin unik të Bashkimit Evropian për miratimin e rekomandimeve të Komisionit për thellimin dhe intensifikimin e dialogut të integrimit evropian.

Kur është fjala për reformat, Thaçi tha se janë zotuar që të vazhdojnë reformat dhe besojnë fuqishëm se zhvillimi dhe integrimi në familjen e madhe evropiane, janë procese integrale, të cilat e plotësojnë njëra-tjetër. Prandaj, sipas Thaçit, për këtë edhe është themeluar Ministria për Integrim Evropian, e cila shërben si një urë lidhëse ndërmjet komunitetit të donatorëve dhe institucioneve të Kosovës.

Duke folur për donacionet që janë dhënë për Kosovën dhe kushtet që kanë krijuar ato për qytetarët e vendit, kryeministri tha se përmbushja e nevojave të qytetarëve është e pamundur, pasi që ato i tejkalojnë kapacitetet që i ka Kosova tash për tash.

“Përmbushja e nevojave të qytetarëve për vende pune, të paguara më mirë, për përkujdesje shëndetësore të nivelit më të lartë, arsimim edhe më cilësor dhe energji të qëndrueshme, do të jenë detyrat tona jo edhe të lehta. Nevojat e sotme të Kosovës i tejkalojnë kapacitetet e saj për t’i financuar të gjitha nevojat e saj. Kosova ka nevojë për ndihmën tuaj, ndihmë teknike, profesionale dhe për mbështetje financiare, nëse duam të përballemi me sukses në këto sfida. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të fuqizojë sa më shumë që është e mundur qeverisjen e mirë, ku stabiliteti politik ka qenë dhe mbetet pikësynim kryesor i shoqërisë sonë, i cili edhe është mbajt”, ka thënë ai.

Ai shprehu përkushtimin e tij për të vazhduar me reforma të gjithëmbarshme për të mirën e qytetarëve të Kosovës, me perspektivë anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Bashkimit Evropian në Kosovë, Christof Stock ka thënë se Kosova i ka shfrytëzuar donacionet në mënyrën më të mirë të mundshme, me synimin që ta ndihmojmë edhe më tej që të afrohet drejt Bashkimit Evropian.

“Fondet e nevojshme për Kosovën janë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme për Kosovën. Ne të gjithë kemi një objektivë të përbashkët, që të ndihmojmë Kosovën që të afrohet më afër Evropës dhe t’i ndihmojmë rreth integrimeve evropiane”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në konferencën në korrik 2008 Komisioni Evropian ka premtuar 508 milionë, duke kombinuar me premtimet e shteteve anëtare të BE-së, që do të thotë se ka qenë gati 50 për qind e shumës të zotuar gjatë konferencës. Ai shtoi se BE-ja është e përkushtuar që ta bëjë të njëjtën gjë edhe në të ardhmen. Stock përmendi edhe një sërë projektesh që BE-ja është duke menduar t’i realizojë në Kosovë, me qëllim të krijimit sa më të mirë të kushteve për qytetarët e saj dhe afrimin sa më të shpejtë të Kosovës drejt BE-së. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›