Krasniqi: NATO duhet të largojë barrikadat

Mbledhja e kryesisë e mbajtur të hënën ka caktuar që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 7 qershor.
Kreyparlamentari Krasniqi, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marr iniciativë për formimin e një zyre ekzekutive në përpjekje që hap pas hapi të realizohet zbatimi i dokumentit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisarit, të cilën e vlerësoi si iniciativë të mirë.
Por ai ka thënë se edhe iniciativa e KFOR-it për të hequr barrikadat, është e duhur që duhet të vazhdojë me largimin e të gjitha barrikadave, për të siguruar një lëvizje të lirë të njerëzve.
“Kosova duhet të bisedojë me gjithë qytetarët dhe të përpiqet për me ngrit kualitetin e jetës së tyre në cilëndo pjesë të Kosovës. Ne këtë e shohim pozitiv edhe heqjen e barrikadave nga NATO-ja dhe gjithë barrikadat që janë vendosur duhet të hiqen, për t’u garantuar liria e lëvizjes së njerëzve dhe e mallrave”, ka theksuar Krasniqi.
I pyetur se a është kundër përfshirjes së Beogradit në dialogun e Qeverisë së Kosovës me serbët e veriut, Krasniqi ka thënë se nuk ka ndonjë informacion të tillë, përveç asaj që është shkruar në mediat.
“Në rend të parë ne nuk kemi asnjë informacion dhe asnjë kërkesë që qon në këtë drejtim, dhe ajo që thuhet në media, ne nuk kemi për obligim të komentojmë”, ka theksuar ai.
Gjithashtu ai ka thënë se komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë Brukseli, duhet të ketë një komunikim më të ashpër që të detyrojë Beogradin të shpërbëjë strukturat paralele.
Ai ka sugjeruar edhe politikën kosovare që të ketë kujdes me politikën serbe, pasi siç ka thënë ai kjo politikë e Serbisë gjithnjë ka prodhuar dhunë.
“Ne e dimë që politika serbe është përpjekur me dekada në mënyrë selektive të krijojë shqiptarë të ndershëm dhe të pandershëm, dhe ne e dimë rezultatet e asaj politike. Politika shqiptare në asnjë formë nuk duhet të jetë në gjurmët e politikës së serbëve, e cila ka prodhuar vetëm dhunë”, ka deklaruar kryeparlamentari Krasniqi.