Thaçi: Për EULEX-in s’ka vend në Kushtetutë

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur të enjten, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se këto ditë janë duke ndodhur letërkëmbime mes Qeverisë së Kosovës dhe Brukselit për rolin e EULEX-it dhe mandatin e tij.
Sipas tij, gjithçka do të jetë në përputhje me agjendën e paraparë dhe se nuk do të mungojë koordinimi dhe harmonizimi i institucioneve vendore me EULEX-in por se ky mision nuk do të jetë i përfshirë në Kushtetutën e vendit.
“Një gjë që është e qartë se nuk do të ketë përfshirje të EULEX-it në Kushtetutë, por vendimi përfundimtar do të merret nga Kuvendi i Kosovës, për prezencën e EULEX-it deri në vitin 2014. Një vendim me dy të tretat”, ka theksuar Thaçi.
Për më tepër ai ka thënë se çdo ditë po punohet që procesi i përmbylljes së pavarësisë të kryhet në afatin e paraparë.
“Tani kemi hyrë në fazën finale për mbikëqyrjen e pavarësisë. Ajo po definohet çdo ditë e më tepër. Ditët e përmbylljes së këtij procesi po afrohen. Ne si qeveri i kemi kryer obligimet, besoj edhe Kuvendi pas pushimet do t’i kryej obligimet e veta për ndryshimet kushteteuse para shtatorit”, ka thënë ai.
Shefi i Qeverisë ka thënë se gjithë ky proces është në koordinim me komunitetin ndërkombëtar, duke shtuar se kjo është edhe shenjë e pjekurisë politike dhe institucionale.
Nga ana tjetër është miratuar projektligjit për arsimin dhe aftësimin profesional. Ministri Ramë Buja ka thënë se ky projektligj rregullon strukturën e institucioneve arsimore.
“Në raportin e progresit 2012 është kërkuar që ky ligj të përafrohet me standardet evropiane. Qeveria ka vendosur që ky akt ligjor të jetë ndërprojektligjet më me prioritet”, ka thënë Buja.
Gjithashtu, është miratuar projekt udhëzimi administrativ për procedurat e aplikimit për pensionet e pjesëtarëve të FSK-së.
Është miratuar edhe propozim-vendimi për emërimin e komisionerit për gjuhët. Po ashtu është miratuar propozim-vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar dhe propozim-vendimi për themelimin e komisionit për negocimin dhe përgatitjen e marrëveshjes së tregtisë së lirë me Republikën e Turqisë.
Në rend të ditës ka qenë edhe propozim-vendimi për ndryshimin e strukturës së transaksionit për “Kosovën e re”.
Me këtë rast ministri, Besim Beqaj ka thënë se përmes këtij propozimi qeveria synon të rrisë nivelin e konkurrencës.
“Pas publikimit të tenderit final në mars të këtij viti janë krijuar rrethana të reja që kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë proces. Asetet dhe tendencat e Qeverisë që një pjesë e aseteve t’i mbesin qeverisë së Kosovës dhe tendencën për të ruajtur borxhet e mëdha”, ka thënë Beqaj.