E Shtunë, 31 Tetor 2026

S'ka ndarje të Kosovës, zgjidhja në integrimin e plotë

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u takua në Selinë e NATO-s në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen përgëzoi presidenten Jahjaga për lidershipin e saj. Ai tha se presidentja Jahjaga, qëndron si garantues i vlerave dhe principeve bazë të demokracisë dhe sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes dhe barazisë qytetare, principe këto mbi të cilat po ndërtohet Kosova.

Ai gjithashtu i dha mbështetje presidentes për rolin e saj në heqjen e neneve 37, 38 dhe 39 nga kodi penal i Kosovës, duke mundësuar kështu lirinë e shprehjes dhe punën profesionale të medieve.

Rasmussen e përgëzoi presidenten Jahjaga, për përfundimin me sukses të fazës së pavarësisë së mbikëqyrur duke vlerësuar këtë si një hap përpara për Kosovën, si dhe përgëzoi punën e FSK-së, në përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale në realizimin e mandatit të saj.

Rasmussen tha se KFOR-i do të qëndrojë edhe më tej në Kosovë si garantues i paqes dhe i stabilitetit. Duke theksuar se zgjidhja e çështjeve në tri komunat e veriut është politike dhe në këtë bazë e përgëzoi presidenten Jahjaga për angazhimin e saj në komunikimin me të gjitha komunitetet në vizitat komunave me popullatë serbe dhe përkushtimit të saj për integrimin e plotë të komuniteteve në shoqërinë kosovare.

Sekretari Rasmussen, e siguroi presidenten Jahjaga se nuk ka ndarje të Kosovës, por zgjidhja është në integrimin e plotë, është me rëndësi që zyra administrative të jetë funksionale dhe të kryejë punën e saj për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretarin e NATO-s, Rasmussen për angazhimin e tij personal dhe për punën e të gjithë atyre burrave dhe grave të KFOR-it, që po e bëjnë në Kosovë për të cilën gjë e gëzojnë respektin dhe nderimin e të gjithë qytetarëve duke qenë KFOR-i institucioni më i besueshëm.

Presidentja Jahjaga, e falënderoi NATO-n për ndihmën që i ka dhënë dhe po i jep FSK-së, në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale duke e bërë një institucion shumë të rëndësishme në shërbim të popullit.

Duke folur për situatën e përgjithshme Presidentja Jahjaga, theksoi se Kosova shtet sovran dhe i pavarur është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe zhvillon marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët dhe këso marrëdhëniesh dëshiron që të ketë edhe me fqinjin verior Republikën e Serbisë, sepse e ardhmja e gjithë rajonit është në integrimet Evropiane dhe këtu arrijmë duke e ndihmuar njëri tjetrin.

Jahjaga takon Rasmussenin

Presidentja e Kosovës Atofete Jahjaga në ditën e dytë të vizitës në Bruksel do të qëndrojë në selinë kryesore të NATO-s.

Ajo pritet të takojë sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Anders Fog Rasmussen.

Rasmusen ka qëndruar në Kosovë para disa ditësh ku ka porositur se duhet të nisë një proces politik për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në veri të Kosovës.

Gjatë ditës së mërkurë Jahjaga ka pasur takime me krerët e BE-së, përkatësisht me presidentin, Herman van Rompuy, presidentin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso dhe ka zhvilluar një darkë pune me komisionerin për Zgjerim, Shtefan Fyle.

Përveç, proceseve integruese, me këta zyrtarë është biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe dialogun me Serbinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›