E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Pritet një valë e re njohjesh

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se pas vendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të pasojë një valë e re e njohjeve të Kosovës.

Në një intervistë për të përditshmen austriake "Die Presse", Thaçi ka thënë se ai pret që GJND-ja do të dëshmojë se respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Kryeministri i vendit po ashtu ka vlerësuar se Kosova është e treguar e suksesshme në lobim për njohjen e saj - ndërsa ka theksuar se - shtetet që deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën, "tashmë kanë filluar të ndërrojnë mendjen". Në mesin e tyre, sipas Thaçit, janë edhe shtetet e BE-së që deri më tani kanë qenë skeptike.

I pyetur ndërkaq për papunësinë e madhe, korrupsionin dhe pagat e ulëta në Kosovë, Thaçi është shprehur se pavarësia e vendit nuk ka mundur të krijonte mrekulli, por ka shpjeguar se këtë vit do të sillen vendime të rëndësishme në fushën e energjetikës dhe të infrastrukturës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›