E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galeria e Arteve shpall konkurs për bustin e Fan Nolit

TIRANE-Për të përjetësuar figurën e shquar kombëtare të Fan Nolit, i cili do të vendoset në qytetin Ibrik Tepe- Turqi, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, në mbështetje të Urdhrit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpall konkursin kombëtar për realizimin në skulpturë të bustit kushtuar figurës së shquar kombëtare, Fan Noli, i cili do të vendoset në një nga sheshet e qytetit të tij të lindjes, Ibrik Tepe të Turqisë. Në këtë konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë dhe arkitektë shqiptarë kudo që jetojnë dhe punojnë. Arkitekti përzgjidhet me dëshirën e artistit, për të bashkëpunuar në realizimin e maketit dhe aty pranohen punime individuale. Punimi nuk duhet të jetë pjesëmarrës apo të jetë ekspozuar në veprimtari të tjera të mëparshme të këtij lloji. Ai duhet të jetë i punuar enkas për këtë konkurs dhe të jetë shprehje artistike realiste e figurative me destinacion përjetësimin e tipareve dhe personalitetin psikologjik të Fan Nolit. Punimi do të paraqitet në formën artistike të bocetit, i cili duhet të shoqërohet me maketin përkatës dhe foto të strukturës arkitektonike të mjedisit. Boceti duhet të jetë i realizuar në lartësinë 70 cm dhe portreti i Fan Nolit të jetë në madhësi natyrale, ku të dallohen qartë tiparet dhe psikologjia e tij dhe të jetë i realizuar në materialin allçi. Artisti duhet të dorëzojë së bashku me bocetin një foto të bocetit të paraqitur, CV të plotë dhe një foto personale. Ky dokumentacion është i vlefshëm për punën dhe diskutimet e jurisë, si dhe për arkivimin e këtij fakti historik në dosjen e artistit fitues. Punimi-bocet duhet të dorëzohet në Galerinë Kombëtare të Arteve deri në datën 10 mars. Ekspozimi i boceteve të përzgjedhura nga juria e konkursit do të paraqiten në sallën e bibliotekës së GKA-së më datë 12 mars, ku do të shpallet nga juria në mjediset e galerisë fituesi i bocetit më të arrirë. Të gjithë artistët e interesuar duhet të vijnë pranë GKA nga data 11 shkurt, të tërheqin materialet e përgatitura për konkursin kombëtar për realizimin në skulpturë të bustit kushtuar Fan Nolit. Busti Busti do të vendoset në një hapësirë pranë sheshit "Republika" të qytetit Ibrik Tepe të Turqisë, ku ka lindur figura e shquar kombëtare, Fan Noli. Kompozimi i bustit do të përfshijë pamjen realiste e figurative të portretit të Fan Nolit deri në mesin e gjoksit. Lartësia e bustit duhet të jetë 105 cm, gjatësia 70 cm, ndërsa gjerësia e tij 50 cm. Materiali i fortë përfundimtar i bustit është bronzi, e derdhja në të do të realizohet në QRVA, në Tiranë. Duhet thënë se bazamenti nuk do të përfshihet në kompozimin e artistit.(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›