E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Qeveria do angazhohet në afirmimin e qeverisjes së mirë

Kryeministri i Kosovës, takohet me kabinetin e ri qeveritar

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi ditën e djeshme takimin e parë me përbërjen e re të kabinetit qeveritar. Shefi i qeverisë kosovare në takim theksoi përkushtimin për angazhim në afirmimin e qeverisjes së mirë në vend. Në takimin e djeshëm, të parin me përbërjen e re të kabinetit qeveritar, kryeministri Hashim Thaçi, përveç falënderimeve për ish- ministrat

dhe shprehjen e mirëseardhjes për ministrat e rinj, ka theksuar përkushtimin për angazhim në afirmimin e qeverisjes së mirë. Shefi i qeverisë së Kosovës në takim e ka theksuar përkushtimin për angazhim në afirmimin e qeverisjes së mirë në vend. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në afirmimin e qeverisjes së mirë, në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe në progresin e procesit të integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike, ka thënë Thaçi. Shefi i ekzekutivit shprehu edhe falënderimin e tij për angazhimet e ministrave paraprak, duke shtuar se puna e tyre do të jetë një bazë e mirë për vazhdimin përkushtimeve dhe arritjen e progresit në fushat specifike të ministrave të rinj, thuhet në komunikatën e kryeministrisë. Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë publike emrat e rinj të kabinetit të tij qeveritar. Bazuar në marrëveshjen me PDK dhe LDK, kryeministri Thaçi tha se tashti e tutje, ministrat e rinj do të jenë: Edita Tahiri, ministre e Administratës Publike, Besim Beqaj, ministër i Integrimeve Evropiane, Bajram Rexhepi ministër i Punëve të Brendshme, Blerand Stavileci ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Bujar Bukoshi ministër i Shëndetësisë, Haki Demolli ministër i Drejtësisë dhe Lutfi Haziri ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas këtij vendimi, nga qeveria e Kosovës u larguan ministrat: Arsim Bajrami, Idriz Vehapi, Zenun Pajaziti, Alush Gashi, Nekibe Kelmendi dhe Valton Beqiri. Kryeministri Thaçi tha se mbledhja e parë e qeverisë në përbërjen e re do të thirret të premten. Ndërkohë më parë, LDK ka konfirmuar tre emrat zëvendësues në kuadër të procesit të ndryshimeve në qeverinë e Kosovës.


LDK ndërron 3 ministrat e saj
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, një ditë më parë miratoi kërkesën e kryeministrit Hashim Thaçi për largimin dhe zëvendësimin e tre ministrave të kësaj partie në qeveri. Vendimi i Kryesisë së LDK është konfirmuar nga anëtari i kryesisë së kësaj partie, Sali Asllanaj, ndërkaq nuk është pritur aspak mirë nga ministrat e larguar. Asllanaj tha se vendimi ka të bëjë me largimin e ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, dhe zëvendësimin e saj me Hakif Demollin, pastaj, me largimin e ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi, dhe zëvendësimin e tij me Bujar Bukoshin, si dhe zëvendësimin e ministrit të Kulturës, Valton Beqiri, me Lutfi Hazirin. Mendoj se ka nevojë për energji të reja dhe kështu ka vlerësuar unanimisht Kryesia e LDK. Është vlerësim i përgjithshëm që këta ministra të zëvendësohen me të tjerë, të cilët do të sillnin energji të re, natyrisht me një koncept të përgjithshëm, që elementet e përfolura shumë në mjetet e informimit, të luftohen. Dhe, vetëm si frymë e tillë, LDK do të jetë e inkorporuar fuqishëm në koalicionin qeveritar, tha Asllanaj.

Ministrat e rinj të qeverisë Thaçi
Edita Tahiri, Ministria e Administratës Publike
Bajram Rexhepi, Ministria e Punëve të Brendshme
Bujar Bukoshi, Ministria e Shëndetësisë
Haki Demolli, Ministria e Drejtësisë
Blerand Stavileci, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
Lutfi Haziri, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Besim Beqaj, Ministria për Integrime

Last Updated on E Enjte, 01 Prill 2010 20:09

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›