E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci-Ramës: Të përmbyllet procesi i interkonjeksionit

PRISHTINE- Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me homologun shqiptar Edi Rama, kryeministri kosovar, Hashim Thaci u ndal të nënvizojë të gjitha pikat e takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama. 

Sipas Thacit, biseda me Ramën u përqendrua tek përmbyllja e marrëveshjeve të lëna përgjysmë dhe nisja e një bashkëpunimi të ri nën frymën europiane.

“Biseduam që të përmbyllen marrëveshjet e deritanishme që kemi nënshkruar. E informova për njohjet e Kosovës, meritojmë të kemi njohje të reja, e informova edhe për marrëdhëniet në rajon, e informova edhe për marrëveshjen e 19 prillit me Serbinë. Falenderoj politikën shqiptare për mbështetjen në arritjen e marrëveshjes dhe stabilizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Diskutuam që do bashkëpunojmë dhe punojmë në frymën evropiane, që të drejtat e shqiptarëve të afirmohen në rajon, diskutuam edhe për diasporën”, tha Thaci.

Kryeministri kosovar më tej apeloi që Shqipëria të luajë rolin që i takon me qëllim përmbylljen e procesit të interkonjeksionit dhe nisjen e zbatimit të këtij projekti.

“Të punohet në mënyrë më aktive për përmbylljen e procesit të interkonjeksionit. Kosova i ka kryer të gjitha detyrimet e veta, presim të njëjtën gjë edhe nga Shqipëria, që ky projekt të nisë. Kam besim tek vizioni dhe qëllimi i Ramës, atë të Shqipërisë Europiane”, vijoi Thaci.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›