Thaçi: Serbët e veriut do të dorëzohen
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se me mbështetjen e plotë ndërkombëtare dhe të EULEX-it, të NATO-s, të BE-së dhe të SHBA-së, doganierët dhe policët e Kosovës janë në pikat 1 dhe 31.
Ai theksoi se zhvillimet e 25 korrikut janë ato që kanë përcaktuar hapat e mëtejshme të konsolidimit dhe forcimit të shtetit, të respektimit të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.
Do ta kemi edhe funksionimin e gjykatës në veri dhe do të krijohen kushtet që me fillimin e funksionimit të rendit dhe ligjit të fillojë të funksionojë edhe rendi demokratik, por edhe investimet. Atje është një grup njerëzish që shkelin vazhdimisht Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që punojnë në kundërshtim me dokumentin e Ahtisarit dhe Rezolutën 1244. Këta njerëz do të ballafaqohen me drejtësinë dhe do të jemi të pakompromis dhe do të vazhdohet me hapat e mëtejshëm të konsolidimit të shtetit, ka deklaruar Thaçi.
Sipas tij, njerëzit që kanë krijuar probleme, që kanë shkaktuar dhunë, strukturat kriminale dhe ilegale do të ballafaqohen me drejtësinë, në mënyrë që edhe në veri të Mitrovicës të ketë rend, ligj dhe zgjedhje të lira, lidership të zgjedhur dhe investime socio-ekonomike nga qeveria e Kosovës.