Thaçi: Serbia nuk mund të mbajë zgjedhje në Kosovë

Në fillim të mbledhjes së ekzekutivit, Thaçi ka thënë se në të dy takimet edhe me zëvendës presidentin, Joe Biden edhe me sekretaren e shtetit Hillary Clinton është dhënë mbështetja të fuqishme, është konfirmuar mbështetja e fuqishme e shtetit të Amerikës për Kosovën.
Gjithashtu, në këto takime, është konfirmuar agjenda Euro-Atlantike, për vazhdimin dhe fokusimin e prezencës amerikane në Kosovë dhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.
Shefi i Qeverisë ka thënë se është diskutuar edhe për situatën e ndjeshme në veri, ku është kërkuar një angazhim shtesë edhe i KFOR-it dhe EULEX-it, në mënyrë që sa më parë të ketë rend dhe ligj.
Gjithashtu, ai ka përmendur edhe takimin që ka zhvilluar dje në Stamboll, me Baroneshën Catherine Ashton, duke thënë se është mbështetje unike amerikane dhe evropiane për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i ndërmarrin në reformat e thella.
Kryeministri ka thënë se të gjithë pajtohen që pavarësia e mbikëqyrur duhet të përfundoj brenda këtij viti.
“Nga të gjithë përkrahet përmbyllja e pavarësisë në vitin 2012 nga të gjitha autoritetet. Përmbyllja e pavarësisë nuk është përgjegjësi e një subjekti apo vetëm e një partie, është e të gjithëve”, ka thënë Thaçi
Sipas tij, çdo vonesë eventuale do t’i kushtoj të gjithëve, jo vetëm një partie, gjithë qytetarëve, shtetit dhe mbi të gjitha do të vonoj integrimin Euro-Atlantik.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, Thaçi ka thënë se edhe në takimin me Biden edhe Clinton por edhe me Baroneshën Ashton është diskutuar për pretendimin e Serbisë për matjen e zgjedhjeve në Kosovë dhe se një gjë e tillë kundërshtohet nga të gjithë.
“Serbia nuk do të mund të organizojë zgjedhje në Kosovë, por do t’u mundësojmë qytetarëve me dy shtetësi të votojnë”, ka theksuar ai.
Thaçi ka bërë të ditur se është kërkuar një organizatë ndërkombëtare që të krijojë kushte dhe rrethana të përshtatshme që qytetarëve që kanë dy shtetësi t’u krijohet hapësira e votimit, por gjithmonë në korniza të mekanizmave ndërkombëtarë.
Rreth zhvillimeve të incidenteve të fundit, kryeministri Thaçi ka shprehur ngushëllime ndaj familjes Haradinaj dhe ka dënuar këtë akt kriminal dhe terrorist.
“Në motivin qoftë politik apo etnik, drejtësia duhet ta thotë fjalën e vetë. Politika më së paku duhet të flet”, ka theksuar Thaçi.
Për sa i përket kidnapimit të dy policëve në kufi, ai ka thënë se Policia e Kosovës e ka mandatin e vet kushtetues dhe ligjor që të veproj në gjithë territorin e Kosovës.
“Policia e njeh mandatin e vetë. E ka autoritetin e vet kushtetues dhe ligjor për të vepruar. Kushdo që tenton të njollos dinjitetin e policëve, policia e ka mandatin të përdore gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor qoftë edhe përpara xhandarmërisë serbe”, ka thënë ai.