E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radio KFOR-i mban zi për Pavlen

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot kundër radios së KFOR-it në Kosovës, saktësisht seksionit në gjuhën serbe të saj.

Arsyeja për këtë është se kjo radio edhe pse funksionin në kuadër të trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, është duke respektuar ditët e zisë kombëtare që ka shpallur Serbia me rastin e vdekjes së Pavles, Patriarkut të 44-të të Kishës Ortodokse Serbe.

Për nder të vdekjes së tij, shteti serb ka shpallur tre ditë zije kombëtare dhe sipas lëvizjes Vetëvendosje, vendimet e shtetit fqinj janë duke u respektuar edhe nga ndërkombëtarët në Kosovë.

Kjo është zi e KFOR-it për dorën e djathtë të Milosheviqit, thuhet në reagimin e kësaj lëvizje. Sipas tyre, Pavle, që prej vitit 1957 shërbeu në Rashkë dhe Prizren. Gjatë këtyre viteve Serbia e Rankovi?-it po bënte kërdinë mbi familjet shqiptare nëpërmjet fushatës së mbledhjes së armëve (kujto edhe Procesin e Prizrenit). Më shumë se 300 mijë shqiptarë u shpërngulën në Turqi nga ky terror serb. Pas 33 vjetëve sa shërbeu në Kosovë, Pavle u zgjodh në krye të Kishës Ortodokse Serbe, më 1990, pikërisht atëherë kur Slobodan Miloseviç-i e konsolidoi mirë e mirë pushtetin e tij në krye të Serbisë, dhe po përgatiste planin për zgjerimin e Serbisë nëpërmjet shkatërrimit të Jugosllavisë dhe batërdinë mbi kroatët, boshnjakët e shqiptarët, thuhet në këtë reagim të Vetëvendosjes.

Më tej kjo lëvizje jep edhe detaje të tjera se si ky patriark I ka bekuar edhe kriminelët e luftës si Arkanin për të kryer krime mbi popujt e ish-Jugosllavisë.

Nëpërmjet nderimit dhe pikëllimit për një figurë të tillë, KFOR-i po tregon fytyrën e tij të vërtetë. Kjo do të thotë që KFOR-i e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë. Natyrisht që KFOR-i jo vetëm që nuk do të mbante zi, ta zëmë, për Adem Jasharin, por ai madje edhe e pat bastisur kompleksin memorial të Jasharajve. Në anën tjetër mban ditë zie për njeriun që qysh prej fillimit e pati vendin aty ku shkojnë të gjithë përbindëshat e kësaj bote: në Ferr, thuhet në këtë reagim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›