E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Të vendosur për rihapjen e pikave doganore 1 dhe 31

“Kosova është e vendosur që të nis zbatimin e planit për rihapjen e pikave doganore 1 dhe 31 në veri, pavarësisht kërcënimeve e shantazheve të Beogradit dhe strukturave paralele në veri”. Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
 

“Më 16 shtator, të premten do të fillojë edhe operacionalizimi i plotë i planit të Republikës së Kosovës për vënien nën kontroll të këtyre pikave kufitare me rregulla strikte, si edhe në të gjitha pikat kufitare tjera të Republikës së Kosovës. Të gjitha operacionet do të kryhen nën sovranitetin e Kosovës, pra nën angazhimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës me angazhimin e tyre operacional e teknik të EULEX-it dhe krijimin e ambientit të sigurisë nga NATO”, është shprehur kryeministri Thaçi.

Po ashtu ai ka theksuar se plani është që të rihapen pikat doganore 1 dhe 31 me autoritetin suprem të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim ai ka informuar se do të punohet në koordinim, me angazhimin për kryerjen e operacioneve teknike, edhe me EULEX-in.

“Plani është që të rihapen pikat doganore 1 dhe 31 me autoritetin suprem të institucioneve të Republikës së Kosovës. Do të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me KFOR-in. Do të punohet në mënyrë që te pika 1 sa më shpejt të kryhen të gjitha parakushtet edhe logjistike që të funksionalizohet për punë, ndërsa në pikën 31 do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve por edhe të mallrave komerciale. Për të gjitha mallrat që do të paguhet akcizë do të kalojnë përmes pikës kufitare ne Merdare, pra për derivate të naftës, alkool dhe cigare”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera Thaçi theksoi se zbatimin e marrëveshjes, Kosova do ta bëjë me autoritetet ndërkombëtare dhe jo me Serbinë. Sipas tij Beogradi është tërësisht pa ndikim.

“Në pikat kufitare të Republikës së Kosovës në kufi me Serbinë do të jenë zyrtarët e policisë së Kosovës, doganierët e Kosovës, e theksova edhe EULEX-i dhe KFOR-i, me autoritetin dhe përgjegjësitë e tyre, por autoriteti ekzekutiv dhe komandues në pikat 1 dhe 31 do ta kenë kosovarët”, vijoi Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›