E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: AAK-ja në qeveri, forcon koalicionin

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se partnerët e koalicionit qeverisës, nuk kanë disponim të largohen nga qeverisja. Jakupi mundësinë e hyrjes së AAK-së në qeveri, e sheh si një forcim të koalicionit qeverisës.

Ndërkohë zyrtarët e AAK-së, mohojnë mundësinë e futjes në koalicion, kurse subjektet e tjera opozitare hyrjen e AAK-së në koalicion qeverisës e konsiderojnë si një lojë politike të nivelit të ulët. Krasniqi gjithashtu ka theksuar se nga pozicioni i kryeparlamentarit nuk mund të flas për çështjet e koalicionit, përkatësisht për mundësinë e daljes së Partisë së Drejtësisë, apo për hyrjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sidoqoftë, ai ka theksuar se partnerët nuk kanë disponim të largohet nga qeverisja.
 

“Unë mendoj që partitë që përbëjnë koalicionin nuk janë të gatshme të heqin dorë nga qeverisja, kështu që nëse i shtohet ndonjë subjekt tjetër politik, do ta shtonte fuqinë e koalicionit”, ka thënë Krasniqi.
 

Nga ana tjetër, vetë përfaqësuesit e AAK-së, kanë mohuar në mënyrë kategorike mundësinë e hyrjes në koalicion, megjithëse një ditë më parë, nënkryetari i kësaj partie Blerim Shala nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me secilin subjekt politik, kur është në pyetje interesi i vendit. Nënkryetari tjetër i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim. “Qëndrimi i AAK-së nuk ka ndryshuar, është i njëjti lidhur me raportet me Qeverinë dhe po ashtu edhe si opozitë po e luajmë rolin tonë opozitar, ndërsa të gjitha të tjerat janë spekulime dhe konsiderojmë se nuk ka asgjë të re”, ka thënë Isufi.
 

Mundësia e hyrjes së AAK-së, në koalicion me PDK-në është ngritur si çështje pas kërcënimeve që kanë ardhur për kryeministrin Thaçi nga Partia e Drejtësisë për dalje nga koalicioni në rast të mospërmbushjes së kërkesave të saj për futjen e lëndës fetare në shkolla dhe për lejimin e përdorimit të shamisë në shkollat publike.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›