E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci: Unë nuk e dëgjoj Piter Feith

PRISHTINE- Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar të panevojshme ndërhyrjen e Piter Feith, në rastin e përzgjedhjes së guvernatorit të vendit. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka folur gjerë e gjatë për marrëdhëniet e tij me përfaqësuesin civil ndërkombëtar. Thaçi e ka ftuar Feithin që përgjigjen e pyetjes pse Prokuroria Speciale e Kosovës deshi ta hetonte, ta gjejë në “shtëpinë ku punon” e jo gjetiu.

ICO-ja, sipas tij ka bërë gabime edhe sa u përket mosveprimeve në veri të vendit, ashtu sikur që ka mund të ketë bërë gabime edhe vetë Qeveria. Por, ai është shprehur optimist se kjo ICO-ja është duke e përfunduar mandatin e vet, dhe se Feith do të jetë shefi i parë dhe i fundit i mbikëqyrjes së pavarësisë.

Shefi i ekzekutivit, nuk është rezervuar nga kritikat as për EULEX-n. Ai ende vazhdon të besojë se ndërhyrja e EULEX-it në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, kur ajo është drejtuar nga ish-ministri, Fatmir Limaj, ka qenë e motivuar politikisht nga ndërkombëtarë me influencë në Kosovë. “Ndërhyrja në Ministrinë e Transportit ka qenë plotësisht e motivuar politikisht nga ndërkombëtarë me influencë. Por jo nga ndonjë ambasador”, ka thënë Thaçi.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›