Thaçi: Vendimi i FIFA's, afirmon shtetin kosovar

"Vendimi i FIFA-s që të lejojë kombëtaren e Kosovës në futboll të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, është një hap i madh dhe i rëndësishëm për Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, që do të ndihmojë që shteti ynë i ri të njihet edhe më shumë dhe të tregojë vlerat e veta", thuhet në një deklaratë të kryeministrit kosovar.
"Gjatë gjithë këtyre viteve, futbollistët kosovarë kanë treguar kualitete të larta të lojës si pjesë e kombëtareve dhe e klubeve të ndryshme botërore. Tani, ky vendim do t’iu mundësojë atyre që të mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës dhe të afirmojnë sportin kosovar, duke ndihmuar kështu diplomacinë kosovare në prezantimin e denjë të Republikës së Kosovës në botë, ka vlerësuar kryeministri Thaçi.
Të hënën, FIFA ua ka mundësuar 208 vendeve anëtare që të luajnë ndeshje miqësore futbolli me Kosovën.
Kosova po e thyen izolimin në sport
Ndersa, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), Memli Krasniqi e ka mirëpritur vendimin e FIFA-së, e cila i lejoi Kosovës zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare miqësore.
Vendimi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit që Kosovës t’i jepet e drejta për zhvillim të ndeshjeve miqësore në arenën ndërkombëtare, është një nga lajmet më të rëndësishme që ka marrë Kosova në tërë këto vite.
“Më në fund përpjekjet e shumë njerëzve që kanë punuar pareshtur, për të ecur suksesshëm drejt ndërkombëtarizimit të sportit, po kurorëzohen me sukses. Padyshim ky moment është një pikë kthese për futbollin, sportin në përgjithësi por edhe në tërësi për shtetin. Me këtë vendim sot ne po ecim suksesshëm drejt afirmimit të shtetit dhe prezantimit të vlerave tona. Dua të shpreh konsideratat e mia më të larta për të gjithë ata futbollistë, trajnerë, tifozë tanë, që për kaq vjet kanë pasur vullnetin të punojnë në rrethana jo të mira. Po ashtu dua të shpreh falënderimin për të gjithë ata njerëz që për kaq vite kanë investuar në forma të ndryshme në zhvillimin e futbollit në Kosovë. Falënderim meritojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë që na ndihmuan në përpjekjet tona për të thyer izolimin e futbollit kosovar. Gjithashtu, vlerësim të lartë meriton edhe puna që kanë bërë të gjitha institucionet shtetërorë të Kosovës dhe veçanërisht Federata e Futbollit të Kosovës, në krye me Fadil Vokrri. Kosova po e thyen izolimin në sport”, është thënë në njoftimin e MKRS.
Ministri Krasniqi nëpërmjet këtij njoftimi ka thënë se para ca ditëve kemi arritur të kemi edhe federatën e pestë të pranuar ndërkombëtarisht, me të cilën kemi plotësuar kushtin teknik për aplikim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
“Unë jam në Kuebek të Kanadasë, bashkë me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në Konventën vjetore të ‘SportAccord-it’, ku po mbahet edhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe ku do të bisedohet edhe për sportin e Kosovës. Me të drejtë, ne presim lajme te mira edhe ne Kuebek. Unë besoj fuqishëm se ne shumë shpejt do të jemi edhe anëtar i barabartë i FIFA-s, UEFA-s dhe i gjithë federatave tjera globale dhe kontinentale. Unë do të vazhdoj të punoj shumë në këtë drejtim dhe i inkurajoj edhe drejtuesit e sporteve në Kosovë që shtojnë përpjekjet e tyre”, ka thënë Krasniqi.