E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Vonesat e Brukselit nuk justifikohen

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sërish ka ripërsëritur kritikat e tij ndaj qasjes së Bashkimit Evropian karshi Kosovës, duke thënë se dinamika në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhet dhe se vonesat e Brukselit janë të pajustifikueshme, pasi sipas tij, Kosova mjaft është vonuar për një shekull padrejtësisht. Ai ka thënë se përderisa Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian ka vepruar me hapa shumë të ngadaltë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi Këto komente i ka bërë të hënën, në takimin me kabinetin qeveritar, ku kanë diskutuar për integrimet evropiane të Kosovës.

“Nuk ka asnjë dyshim se Kosova ka të ardhme të sigurt evropiane. Shteti i Kosovës është unik në rrafshin politik dhe gjithë etnik në vizionin integrues euro-atlantik. Kosova po implementon në afat rekord të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për marrëveshjen e stabilizim associmit. Por e vërteta është se dinamika në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhen. Vonesat e Brukselit janë të pajustifikueshme, Kosova mjaft është vonuar për një shekull padrejtësisht. Përderisa, Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian ka vepruar me hapa shumë të ngadaltë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, as procese të përshpejtuara, por vetëm kërkojmë trajtim të barabartë sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai ia ka bërë me dije Bashkimit Evropian se nuk duhet të tolerojë vrima të zeza në kontinentin Evropian.

Thaçi shfaqi mospajtimin e tij që mos njohja nga pesë vendet e BE-së po shihet si justifikim për të mos marrë një përkushtim të drejtë dhe të përgjegjshëm në përputhshmëri me interesat, punën, përkushtimin dhe përgjegjësinë evropiane të Kosovës edhe nga Brukseli.

Ai u ka thënë ministrave që të përkushtohen rreth plotësimit të kritereve dhe pyetjeve në pyetësorin që dalin nga raporti për nisjen e studimit të fizibilitetit me Kosovën.

Pas takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian në shkurt 2012, Republika e Kosovës ka shënuar avancimin e marrëdhënieve integruese në Bashkimin Evropian. Këshilli ka mbështetur fillimin e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për Kosovën. Ky është hap kyç dhe i rëndësishëm për historinë integruese të Kosovës, pasi që paraqet hapin e parë formal drejt zyrtarizmit të marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian. Sidoqoftë, vullneti politik nuk mjafton për të shënuar progres në kuadër të fazës së re të procesit integrues të Kosovës. Kosova gradualisht po dëshmon që ka kapacitete të mjaftueshme administrative për të negociuar dhe zbatuar marrëveshjen e Stabilizin Asocimit”, tha kryeministri.

Ai ka thënë se studimi i fizibilitetit do të vlerësojë nëse kriteret politike, legjislative, ekonomike dhe standardet tjera evropiane janë të plotësuara në masë të madhe dhe të mjaftueshme, me qellim të fillimit të negocimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Në këtë drejtim, më 7 maj, Ministria e Integrimit ka pranuar pyetësorin me mbi 450 pyetje për të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Më 8 maj, Ministria e Integrimit ka përgatitur të gjitha pyetjet dhe i ka shpërndarë në të gjitha institucionet shtetërore. Deri më 18 maj, të gjitha institucionet duhet të dërgojnë përgjigjet e tyre në Ministrinë e Integrimit. Më 21 maj, Ministria e Integrimit do të raportojë për ato institucione të cilat kanë respektuar apo nuk kanë respektuar afatet dhe kualitetin e kërkuar të përgjigjeve. Deri më 1 qershor, bazuar në përgjigjet e institucioneve, Ministria e Integrimit Evropian do të konsolidojë dokumentin final për dorëzim në Komisionin Evropian. Përgjigjet e pyetësorit do të dorëzohen më 8 qershor Komisionit Evropian. Pas dorëzimit të përgjigjeve të pyetësorit më 18 qershor, misioni fakt-mbledhës i Komisionit Evropian do të arrijë në Kosovë me qëllim të verifikimit të përgjigjeve të pyetësorit.

Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij dokumenti, kryeministri Thaçi u ka kërkuar ministrave të kabinetit të tij që gjatë muajit maj-qershor të ta kenë prioritet plotësimin e pyetjeve në pyetësor./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›