E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi akuza Beogradit: Ka bllokuar procesin e bisedimeve

12-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Hashim Thaçi, duke folur për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë se Republika e Kosovës tashmë i ka kryer obligimet e veta karshi këtij dialogu, duke shtuar se tashmë procesi ka ngecur te pala serbe, e cila po heziton të lëvizë përpara. “Ne i kemi kryer obligimet tona karshi dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani Serbia duhet të komunikojë me Baroneshën Ashton dhe të prezantojë opinionet e veta dhe gatishmërinë e vet për të lëvizur përpara. Pozicioni i Kosovës është jashtëzakonisht i qartë, është në përputhshmëri të plotë me qëndrimin edhe të BE-së edhe të ShBA-së. Pra qëndrimet tona janë kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai.
Thaçi ka premtuar se Republika e Kosovës do të jetë aktive dhe dinamike edhe në të ardhmen, në veçanti në implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur deri më tani.
Ai e ka fajësuar Beogradin se përveç vetes, po e izolon edhe rajonin me mentalitetin e së kaluarës.
“Është koha që Beogradi të vetëdijesohet për të lëvizur përpara, në mënyrë që edhe vetë të mos izolohet dhe të mos e mbajë peng rajonin në mentalitetit e së kaluarës. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me Baroneshën Ashton dhe kabinetin e saj, kështu që do të shohim se si do të lëvizin gjërat në orët dhe ditët e ardhshme”, ka thënë ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›