Thaçi dhe Krasniqi: Sabri Godo u shqua si një nga personalitetet më kulmore

Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës ngushëllojnë familjen Godo
“Në shoqërinë, kulturën dhe politikën shqiptare, Sabri Godo u shqua si një nga personalitetet më kulmore, i cili në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij reflektonte urtësinë, inkurajonte bashkëpunimin, unitetin dhe vendosmërinë për të punuar në të mirë të mbarë kombit shqiptar. Në momentet më të vështira dhe më vendimtare për çlirimin e Kosovës, gjatë luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jam dëshmitar i kontributit të çmuar të Sabri Godos në mbështetjen e fuqishme të luftës dhe në unifikimin e faktorit politik shqiptar për t’u vënë në shërbim të plotë të çlirimit të Kosovës”, thuhet në telegramin e kryeministrit.
Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha institucionet e vendit dhe populli i Kosovës, do të jenë përherë mirënjohës për rolin e pazëvendësueshëm të politikanit dhe intelektualit Sabri Godo për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, thuhet më tej.
Në telegramin e ngushëllimit të Krasniqit dërguar presidentit Topi thuhet: Me hidhërim të thellë mësova lajmin për vdekjen e ish deputetit, politikanit, shkrimtarit dhe mikut tim, Sabri Godo.
Vdekja e plakut të urtë, Sabri Godo, i cili kontribuoi aq shumë për transformimet demokratike të Shqipërisë dhe për ruajtjen e ekuilibrimeve politike në procese të ndjeshme, është humbje e madhe për politikën e kulturën shqiptare, për familjen e tij dhe miqtë e shumtë që kishte. Sabri Godo ishte shumë i mirëpritur në Kosovë, së cilës i kushtoi angazhim të përhershëm, kurse në rininë e tij kishte qenë këndej kufirit me armë në dorë për lirinë e shqiptarëve dhe të popujve jugosllavë. Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, me familjen e Sabri Godos, me kolegët e tij bashkëveprues politikë, me shkrimtarët dhe miqtë, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta”.