Kërcënimi që i vjen Bashkimit Europian nga partitë e vogla ekstremiste
Pas takimeve të niveleve të larta europiane që u kryen javën e shkuar duket se në vendet e eurozonës (të prekura nga kriza globale) po shtohet optimizmi për daljen nga kriza. Ndoshta vetë krerët e shteteve dhe të qeverive të Eurozonës e kanë kuptuar se tashmë duhet një disiplinë më e fortë për të dalë nga kriza. Në fakt presidenti francez u shpreh se vendi i tij dhe Gjermania do të punojnë bashkë për të kryer reformat e nevojshme për të shtuar më pas se në të kundërt Europa do të rrezikonte seriozisht të fshihej prej krizës. Pas fjalëve të Presidentit francez Sarkozi dhe kancelares gjermane Angela Merkel duket se cikli ekonomik i Europës do të përqendrohet në reduktimin e debisë duke përfshirë të gjitha ekonomitë e zhvilluara. Nga ana tjetër presidenti kishte qenë i qartë me bashkëkombasit e tij dhe kishte deklaruar se duhej evituar frika dhe se francezëve u duhej thënë e vërteta. Kriza është serioze dhe duhet punuar për rritjen ekonomike dhe për punësimin. Sinjalet për një bashkim të të gjitha forcave për daljen nga kriza kanë qenë të forta. Por në këtë klimë bashkëpunimi ndonjë parti e vogël europiane ka bërë të kundërtën. Është rasti i partisë italiane të Lidhjes së Veriut dhe liderit të saj historik Umberto Bossi i cili në parlamentin padan është shprehur se: “Padania do të fitojë. Shteti italian e ka humbur ndeshjen. Lufta ekonomike e nxori Italinë humbëse”. Sipas Bossit padanët duhet të bashkohen dhe duhet të jenë kompaktë për të luftuar për Padanian dhe më pas do të jetë historia ajo që do të bëjë pjesën e saj. “Është koha të çlirohemi nga zinxhirët. Njerëzit janë të lodhur nga sistemi centralist. Ka pak gjasa që euro të rezistojë”. Gjithsesi i shpejtë ka qenë reagimi i politikës italiane ndaj fjalëve të Umberto Bossi-t. «Lidhja mos të guxojë të ndezë me fitil barutin që na ka vënë nën këmbë» - kështu është shprehur ndër të tjerët sekretari i PD, Pierluixhi Bersani, duke vazhduar se: “duhet të mbajmë timonin dhe nervat dhe t’i transmetojmë këndvështrimin tonë vendit”. Në fakt ndodhemi përpara një momenti të vështirë për vendin fqinj të Italisë. Janë orë vendimtare dhe për këtë është i vetëdijshëm edhe presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti i cili ka vënë në dukje se: «Të gjithë duhet të marrin pjesë në sakrificat e vendit». Vendi fqinj i Italisë është në prag të manovrës fiskale dhe presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti, bashkë me ministrat e tij kërkojnë 24 miliardë euro nga manovra fiskale. «Situata e vendit është e rëndë, por do t’ja dalim» - kështu është shprehur, Mario Monti, presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë përpara mbledhjes së ditës së sotme. Flitet më së shumti se do të luftohet evazioni fiskal ndërsa përsa i përket kostos së punës qeveria e Mario Montit do të kërkojë një lehtësim fiskal për firmat në përgjithësi për të rritur punësimin. Për ata që presin diçka më tepër për punën është thënë se aktualisht mbi këtë problem nuk do të ketë asnjë masë sepse në këtë front duhet një dialog më intensiv mes palëve. Situata duket se është e rëndë në vendin fqinj por edhe sakrificat pritet që të jenë të mëdha. Mund të ketë një rritje të Tvsh që do të arrinte të sillte në arkat e shtetit italian rreth 16 milardë euro. Pastaj taksa e luksit (që do të përfshinte anijet, jahtet, avionët apo edhe makinat po aq luksoze). Nga ana tjetër shumë prej firmave sipërmarrëse e kanë bërë të qartë mendimin e tyre: nuk duan që të preket ekonomia reale e Italisë në të kundërt kjo do të konsiderohej si një vetëvrasje e vendit fqinj të Italisë. Gjithsesi sektori më i prekur do të jetë ai i pensioneve. Flitet se femrat do të shkojnë në pension në vitin 2018 në moshën 66 vjeçare. Nga ana tjetër kush ka arritur 42 vite kontribute (për meshkujt) dhe (41 vjet për femrat) mund të marrë pensionin e tij ndërsa pensionet më të vogla do të jenë të garantuara nga shteti italian.