Thaçi e Nikoliçi do takohen në fund të muajit në New York

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë nisur përpjekjet intensive për të përshpejtuar rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Shefja për Politikë të Jashtme dhe për Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka paralajmëruar takim ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit serb Timosllav Nikoliç, në New York në fund të këtij muaji, të cilëve do t`u bëjë presion për vazhdimin e dialogut.
Takimi i Ashton me liderët e dy shteteve do të ndodhë në margjinat të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që do të mbahet në New-York, në fund të këtij muaji.
”Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, do t’i takojë ndaras kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe presidentin serb, Timosllav Nikoliç. Ajo do t’i takojë ata gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në fund të këtij muaji në Nju-Jork, dhe temë e diskutimit me ta do të jetë vazhdimi i dialogut”, ka thënë Maja Kocijancic.
Lidhur me deklaratat e fundit nëpër media, se dialogun e ardhshëm do ta ndërmjetësojë Catherine Ashton me sekretaren e Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, Kocijancic nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar.
“Dialogu është mbajtur gjithmonë nën përkujdesjen e përfaqësueses së lartë të Evropës, Catherine Ashton. Ajo është shumë e angazhuar personalisht”, tha ajo, pa hyrë në detaje tjera.
Lidhur me temat e radhës që do të diskutohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kocijancic tha se modalitetet janë ende duke u diskutuar dhe se duhet të pritet deri në fund të konsultimeve për të parë kur dhe si do të zhvillohet dialogu i radhës.
Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të Qeverisë Kosovës thonë se nuk janë të njoftuar për takimin e paralajmëruar mes Ashton dhe Thaçit në New York. Megjithatë, ata insistojnë që Prishtina zyrtare nuk do të pranojë vazhdimin e dialogut pa u zbatuar fillimisht nga ana e Serbisë marrëveshjet e arritura deri më tani.
Zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme me Kosovën, është edhe njëri prej shtatë kushteve që Parlamenti gjerman i ka paraqitur Serbisë, që kjo e fundit të hyjë në BE, ka bërë të ditur të enjten në Beograd zyrtari i lartë i partisë së kancelares Merkel, Andreas Schockenholf.
Kushtet e Gjermanisë ndaj Serbisë janë parë si pozitive nga ana e analistëve të Prishtinës, në këtë kohë para rinisjes së dialogu të ardhshëm.
“Është shumë inkurajuese kjo që Bundestagu ka paraqitur ndaj Serbisë, tani kur pritet të vazhdojë dialogu. Prandaj, edhe Kosova duhet të paraqesë kushtet e saj dhe të mos pranojë marrëveshje të tjera pa largimin paraprak të institucioneve ilegale nga veriu si dhe implementimin e marrëveshjeve të deritanishme”, tha analisti politik, Ardian Arifaj.