Thaçi fton LDK-në të heq dorë nga izolimi politik

“Unë ftoj çdo autoritet lokale që të fokusohen në punët që janë të thirrura për t'i kryer e kësaj radhe e kam fjalën për Prishtinën që të hapet Prishtina, të zhvillohet, të modernizohet”, ka thënë Thaçi gjatë vizitës së tij në Prizren.
Sipas tij, Kosova po kalon në një fazë të rëndësishme dhe historike të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. “Këto katër vite e gjysmë kemi punuar bashkërisht për implementimin e Planit të Ahtisarit. Bota pret nga ne, nga Kosova, nga gjithë spektri politik mençuri, urtësi dhe unitet politik dhe qytetar”, tha Thaçi, i cili ka ftuar liderët politikë “t'i lënë anash interesat e ngushta personale, partiake dhe elektorale” për të punuar për shtëtndertimin, konsolidimin dhe forcimin e shtetit.
Duke komentuar bojkotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, sipas Thaçit ky është një veprim i nxituar, i pamatur dhe i papjekur politikisht. “Nuk besoi se është në interesin e asaj partie që të mbetet e veçuar dhe bojkotuese e procesit”, tha kryeministri Thaçi.
Ai tha se e respekton marrëveshjen dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për presidenten në të njëjtën kohë. “Partitë politike dhe asnjë lider politik nuk mund ta sfidoj vendimin e institucioneve të pavarura. Tek e fundit vetë kjo parti e ka kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese dhe tash si vendim i gjykatës është një realitet, por ne duhet të gjejmë mënyrat, format dhe mundësitë e bashkëpunimit sepse është në interesin e shtetit ta përmbyllim procesin e reformave dhe se një parti e vetme nuk do të mund t’i bllokoj reformat demokratike të ecjes përpara të Kosovës, por e mira do te ishte që të gjithë te jemi së bashku dhe unë kam besim që këtë veprim të pastudiuar mirë do ta mendojnë dhe ata do te kthehen”, tha kryeministri Thaçi. (Kosovapress)