E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci i dorëzon Jahjagës konkluzionet e BE

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i dorëzoi sot presidentes Atifete Jahjaga konkluzionet e të dërguarit të BE-së Robert Cooper, për marreveshjet e arritura gjatë procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të zhvilluara në Bruksel.

Në takimin e mbajtur në Zyrën e Presidencës, presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi biseduan për gjendjen aktuale politike, koordinimin e veprimeve, për vizitat jashtë shtetit, për bisedën telefonike ndërmjet zëvendës presidentit të SHBA-ve, Joe Biden dhe presidentes Jahjaga.

Më 2 korrik në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën tre marrëveshjet e para, lidhur me lirinë e lëvizjes, diplomat dhe regjistrin civil. Pas Shteteve te Bashkuara të Amerikës, edhe Franca mirëpriti marrëveshjet e para të arritura mes Beogradit dhe Prishtinës.

Me anë të një deklarate Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Francës, deklaron se këto marrëveshje do të mundësojnë lëvizjen e lirë të shtetasve të të dy vendeve, që nuk ekzistonte deri më sot.

Takimi i radhës ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, mbahet nga mesi i këtij muaji.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›