E Diel, 1 Nëntor 2026

Biden përgëzon Kosovën për marrëveshjet me Serbinë

Nga Express më 07 korrik 2011 në ora 09:24

Pas takimit të shkurtër që zhvilluan në Romë më 2 qershor, nënpresidenti amerikan Joe Biden dhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga zhvilluan dje një bisedë telefonike.

Sipas një deklarate të zyrës së nënpresidentit, Biden kishte përsëritur përgëzimet e tij për zgjedhjen e zonjës Jahjaga dhe kishte theksuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakthyeshme të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj si një demokraci shumetnike.

Nënpresidenti Biden ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve të 2 korrikut në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka theksuar nevojën për përparim të mëtejshëm në çështje që sjellin përfitime praktike për qytetarët e të dyja vendeve.

Nënpresidenti amerikan dhe Presidentja Jahjaga diskutuan gjithashtu mbi përpjekjet e Kosovës për të luftuar korrupsionin, për të forcuar shtetin ligjor dhe për të vazhduar reformat e brendshme në Kosovë, duke nënvizuar se këto janë hapa themelore për tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e rritjes ekonomike. /voa/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›