Thaçi jep dorëheqjen
Kryeministri nuk do të jetë më deputet në Kuvend
Letër kryetarit të parlamentit, ku njofton se heq dorë nga pozita e deputetit. Kryeministri shprehet i vendosur për të luftuar krimin në veri, duke implementuar strategjinë e integrimit të serbëve
Kryeministri Hashim Thaçi, përmes një letre drejtuar kryetarit të parlamentit, Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur se jep dorëheqjen nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës. “Duke u bazuar në nenin 70 paragrafin 3 (2) të Kushtetutës së Kosovës, si dhe në pikën 5 të eregullës nr. 14 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, ju paraqes dorëheqjen time nga pozita e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e bërë publike nga zyra e kryeministrit. Këtë veprim, Thaçi tha se e ka ndërmarrë, duke pasur parasysh përkushtimin ndaj qeverisë, si dhe të përmbushjes në mënyrë sa më efikase të të gjitha detyrave të tij si kryeministër. “Një gjë e tillë do të ndihmonte edhe vetë Kuvendin e Republikës së Kosovës në rritjen e efikasitetit në punë dhe krijimin e mundësisë për deputetë të rinj, që do të jenë të përkushtuar vetëm në punët dhe detyrat që përkojnë me funksionin e deputetit”, thuhet në letrën e Hashim Thaçit, kryeministër i vendit, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Do të luftojmë krimin në veri
Ndërkohë, po dje, kryeministri Thaçi paralajmëroi masa kundër strukturave dhe individëve në veri të Kosovës, që merren me kontrabandë dhe krim të organizuar. Sipas tij, strategjia e ICO-së për integrimin e veriut po i nënshtrohet një vlerësimi financiar të zbatimit të saj dhe pas këtij studimi të hollësishëm, qeveria do të ndajë fondin e nevojshëm për zbatimin e saj. Thaçi shtoi se pret një kontribut në këtë drejtim dhe se pret edhe nga vendet e tjera mike të Kosovës, të cilat e kanë mbështetur zbatimin e kësaj strategjie, që synon integrimin e veriut. Por, sipas tij, fillimi i zbatimit të strategjisë nënkupton edhe hapa energjikë kundër veprimeve ilegale dhe kriminale në këtë pjesë të Kosovës. “është përkushtimi për sundimin e ligjit dhe luftimin e pakompromis edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, ndaj individëve apo strukturave që janë marrë dhe ende pretendojnë të merren me kontrabandë, e që i kanë shkaktuar dëm të madh edhe politik, edhe financiar shtetit tonë”, ka theksuar Thaçi. Ai tha se ka ftuar në grupet punuese për implementimin e saj dhe partitë opozitare, në mënyrë që të ketë një qasje sa më gjithëpërfshirëse për integrimin e pjesës veriore. “Tjetra, çka është jashtëzakonisht me rëndësi, është edhe mbështetja unike gjithëndërkombëtare, në veçanti e grupit mbështetës ndërkombëtar për Kosovën, prandaj gjërat janë duke shkuar në drejtim të duhur”, është shprehur Thaçi. Strategjia për veriun shihet si një mundësi e mirë për shtrirjen e pushtetit në atë pjesë të Kosovës. Përveç qasjes integruese politike në raport me komunitetin serb, duke investuar në veri të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se atje do të ketë një mirëqenie sociale dhe do të krijohen vende të reja pune. Formimi i komunës së Mitrovicës së Veriut dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira në komunat veriore, mendohet të jenë prioritetet fillestare të zbatimit të kësaj strategjie, me të cilën synohet integrimi i veriut deri në fund të këtij viti. Plane të tilla janë kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit serbë në veri, të cilët kanë kërkuar edhe mbështetjen e Beogradit për pengimin e zbatimit të kësaj strategjie.
Këshilli i Europës
Skandaloze situata e romëve në veri të Kosovës
“Nuk është koha për kthim të detyrueshëm të të zhvendosurve në Kosovë”, deklaroi dje në Prishtinë komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Tomas Hamarberg. Ai kritikoi shtetet europiane se po i bëjnë presion Prishtinës t’i pranojë të kthyerit, ndonëse kjo bie ndesh me kushtet në Kosovë. Ai e ka quajtur skandal dhe turp ekzistencën e kampeve rome të kontaminuara me plumb në veri të Kosovës. Hamarberg shprehu shqetësimin e thellë për kthimin e detyrueshëm të njerëzve që janë strehuar në shtetet europiane. “Nuk është koha e duhur për të kthyerit në përgjithësi, e lëre më për kthim të detyrueshëm”, ka thënë Hamarberg, pas vizitës dyditëshe që bëri në Kosovë, në përpjekje për të analizuar situatën pas kthimit të detyrueshëm të kosovarëve nga ana e disa shteteve europiane. Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të OKB-së, janë kthyer më shumë se 2,500 persona nga shtetet europiane, kryesisht nga Austria, Gjermania, Suedia dhe Zvicra. Për t’i përmbushur kriteret për liberalizim vizash, Kosova po vazhdon të nënshkruajë marrëveshje për riatdhesimin e kosovarëve, por sipas Hamerbergut, kushtet në Kosovë nuk e lejojnë një kthim të tillë. Ai e ka ngritur këtë çështje, pasi pohoi se ka indikacione, se numri i të detyruarve për t’u kthyer do të rritet në vitet e ardhshme.“Kemi përshtypjen se Kosova nuk është e gatshme që të pranojë numër të madh të njerëzve që do të ktheheshin në këtë fazë. Fuqitë e mëdha europiane, mendoj këtu Gjermaninë, Suedinë, Zvicrën dhe Austrinë, të mos e shfrytëzojnë rastin që t’i bëjnë një lloj presioni politik Kosovës për të pranuar në këtë fazë numër të madh të personave, që kthehen në mënyrë të detyrueshme”, ka theksuar Hamarberg. Shqetësimet e tij janë thelluar, pasi është informuar se disa nga të kthyerit nga shtetet europiane janë rivendosur në kampet e kontaminuara me plumb në veri të vendit, të cilat ende vazhdojnë të paraqesin rrezik të madh për shëndetin e njeriut. “Nevojitet veprim i menjëhershëm. Unë, në njëfarë mënyre, e ndjej veten të turpëruar që kjo po ndodh në Europën e ditëve tona, në epokën që po e jetojmë”, -është shprehur Hamarberg. Ai e ka bërë përgjegjës për ekzistimin e kampeve edhe komunitetin ndërkombëtar në Kosovë, meqë, siç ka thënë, administrimi i rajonit ku gjenden kampet është bërë kryesisht nga ndërkombëtarët. Kampet rome në veri ekzistojnë që nga vitit 1999. Rekomandime për mbylljen e tyre janë dhënë jo vetëm nga Këshilli i Europës, por edhe nga organizata tjera për të drejtat e njeriut. Ndërkohë, një numër i madh i banorëve nëpër kampe vuajnë nga sëmundje të ndryshme, të shkaktuara nga përqendrimi i lartë i sasisë së plumbit në gjak, sasi kjo që gjendet në zonën ku janë të vendosura kampet.