Përmbaruesi në ndjekje penale, abuzoi me vlerën e ndërtesës

Denoncimi nga një biznes privat: Ka kryer një ankand, për të cilin pala kreditore ka kërkuar pezullimin e procedurës
Akuza
Petrit Tabaku, me detyrë përmbarues gjyqësor, në bashkëpunim me Robert Bregun, sipas kallëzimit, kanë bërë një vlerësim prone që ndodhet në autostradën Korçë-Bilisht, e cila është një ndërtesë me sipërfaqe 2000 metra katrorë dhe nuk ka nxjerrë vlerën reale, por një vlerë tjetër, në kundërshtim me çmimet e përcaktuara për metër katror nga vendimi i Këshillit të Ministrave.
Irena Vreto
KORçë - Përfshihet nga skandali Zyra Përmbarimore në qytetin juglindor. Kështu, një përmbarues gjyqësor në Korçë, së bashku me një ekspert vlerësues, janë vënë nën hetim për “shpërdorim detyre”, pas abuzimit me vlerësimin e një prone. Skandali është zbuluar fillimisht nga Sektori i Krimit Ekonomik në qytetin juglindor, pas kallëzimit të një biznesmeni, prona e të cilit është nxjerrë në ankand, në kundërshtim me ligjin.
49-vjeçari Petrit Tabaku, me detyrë përmbarues në zyrën e Korçës, është përshirë në një skandal me përmasa të mëdha, ndërsa dosja me të dhëna tejet të detajuara ka mbërritur në organin e akuzës. Ndërkaq, pritet që Tabaku të pezullohet nga detyra deri në përfundimin e procesit të hetimit, por dhe mandej të atij gjyqësor. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se prej vetëm pak kohësh është duke ndjekur penalisht në gjendje të lirë të dyshuarin Petrit Tabaku, banor i qytetit të Korçës, përmbarues gjyqësor në Degën e Përmbarimit në këtë qytet. Gjithashtu, nën të njëjtën akuzë do të hetohet edhe shtetasi Robert Bregu, me detyrë ekspert vlerësues për llogari të Zyrës Përmbarimore në Korçë.
E gjithë historia e përmbaruesit, por edhe e vlerësuesit ka nisur një vit më parë, ndërsa padia e mbërritur në polici nga biznesmeni Jani Lluka ka shumë pak javë. Ky i fundit, bëjnë të ditura për gazetën të njëjtat burime, ka akuzuar shtetasin Petrit Tabaku, me detyrë përmbarues gjyqësor, se në datën 5 mars 2009, në kundërshtim me ligjin ka kryer një ankand, për të cilin pala kreditore “NBG Bank” ka kërkuar pezullimin e procedurës. Pavarësisht se përmbaruesi gjyqësor Tabaku ka qenë në dijeni të këtij vendimi nga ana e bankës, në bashkëpunim me shtetasin Robert Bregu, sipas kallëzimit, kanë bërë një vlerësim prone që ndodhet në autostradën Korçë-Bilisht, e cila është një ndërtesë me sipërfaqe 2000 metra katrorë dhe nuk ka nxjerrë vlerën reale, por një vlerë tjetër në kundërshtim me çmimet e përcaktuara për metër katror nga vendimi i Këshillit të Ministrave.
Pas këtyre fakteve të paraqitura nga kallëzuesi, policia ka filluar procedim penal, ndërsa një ditë më parë e ka dorëzuar dosjen në prokurori për hetime të mëtejshme. Fillimisht të dy personat e vënë nën hetim për “shpërdorim detyre” po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërsa hetimi i mëtejshëm i organit të prokurorisë mund të ndryshojë masën ndaj tyre. Biznesmeni Jani Lluka rreth një vit më parë është akuzuar për huamarrje, me qëllim fitimi, të cilat nuk i ka shlyer në kohë. Pas kallëzimeve të një qytetari ka nisur edhe procedimi penal ndaj tij nën akuzën e mashtrimit, ndërkohë që fillimisht një bankë me aktivitet në Korçë ka kërkuar nxjerrjen në ankand të një prone, për shkak të vonesave në dredhjen e kësteve, kërkesë e cila më pas është ndryshuar nga ana e kësaj banke, për faktin se Lluka ka nisur të shlyejë një pjesë të detyrimeve të prapambetura. Në këto kushte, dy personat e paditur kanë nxituar të zhvillojnë sa më shpejt procedurat, duke ulur vlerën reale të objektit.
Kukës
Bashkia prezanton planin urbanistik,
i kërkohet komunitetit të japë mendime
KUKëS - Pas një pune më shumë se njëvjeçare të grupit të punës së urbanistikës dhe pas miratimit nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Qarkut, plani urbanistik i qytetit të Kukësit u prezantua të premten, duke mbetur i hapur për mendime të komunitetit. Aktiviteti i prezantimit u bë në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”, ku qenë të pranishëm drejtuesit rajonalë, si kryetari i qarkut, Shefqet Ruka, prefekti Elez Maçi, si dhe vetë kryetari i bashkisë, Hasan Halilaj. Ky i fundit duke lavdëruar punën e ekspertëve, i ftoi qytetarët të vizitojnë sallën kryesore të pallatit të kulturës, ku është ekspozuar plani i qytetit. Kryebashkiaku tha se synonte që diskutimi i këtij planrregullimi afatgjatë të bëhet përmes pjesëmarrjes së gjithë qytetarëve, para se t’i dërgohet për miratim Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës.
Plani urbanistik i hartuar nga në grup specialistësh kuksianë në bashkëpunim me specialistë të CO-Planit dhe USAID-it synon shfrytëzimin e të gjitha avantazheve të Kukësit, si porta e lidhjes së Shqipërisë me Kosovën, veçanërisht me funksionimin e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë që lidh dy vendet. Po ashtu, synohet shfrytëzimi me efikasitet i pikave turistike rreth qytetit, integrimi i banorëve të rinj të ardhur nga zona të thella e të vendosur në periferinë e qytetit, si dhe identifikimin e hapësirave të reja urbane, ku do t’u jepet një frymëmarrje kryesisht bizneseve të reja e kështu me radhë, në një hapësirë prej 1060 ha tokë.
Aktualisht qyteti i Kukësit numëron rreth 30 mijë banorë, ndërsa 20 vite më parë ai kishte vetëm 19 mijë banorë. Zgjerimi i tij gjatë këtyre viteve ndryshoi rrënjësisht konceptimin fillestar të këtij qyteti relativisht të ri, i cili u vendos këtu vetëm para 40 vitesh, me shpërnguljen e Kukësit të Vjetër, për shkak të ndërtimit të HEC-it të Fierzës. Por zgjerimi i 20 viteve të ardhshme, sipas planit rregullues të paraqitur, përfshin shtrirjen e tij deri në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Kukësit, që është vetëm më shumë se 3 km larg qytetit. Ekspozita e planit rregullues të Kukësi do të qëndrojë e hapur për një muaj dhe për të janë ftuar qytetarët të japin sugjerimet e tyre me shkrim në një kuti të posaçme të vendosur në sallë.
F.Tota