E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëborë në fshatrat e Labërisë, bllokohet Qafa e Llogorasë

 
 
Vetëm rreth mesditës Ndërmarrja e Rruga-Urës ka ndërhyrë për zhbllokimin e lëvizjes. Makinat pa zinxhirë nuk lejohen nga policia që të kalojnë
 
 
Rreziku
 
Disa pasagjerë të një autobusi treguan se shoferi kishte lënë ndezur makinën, duke vënë në punë ngrohësit e saj, në të kundërt temperaturat nën 0 gradë celsius mund të sillnin edhe probleme për jetën
 
VLORë - Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit kanë sjellë edhe reshje dëbore në fshatrat e Vlorës. Mëngjesin e djeshëm, fshatrat e Labërisë së thellë janë mbuluar nga dëbora, ndërsa probleme janë shkaktuar në aksin rrugor kombëtar që kalon në Qafën e Llogorasë, i cili ka mbetur i bllokuar për disa orë.
Situata
Pikërisht dëbora e rënë gjatë orëve të natës ka bërë që rruga nacionale e Llogorasë të bllokohet dhe, si pasojë, edhe trafiku është bllokuar për pak orë. Ura e Palasës në jug të vendit, si dhe fusha e Dukasit ka mbajtur të bllokuara mjaft automjete, të cilat donin në kaloni Qafën e Llogorasë, por pa pasur mundësi ta kalonin atë, pasi qafa ishte e pakalueshme dhe automjetet nuk ishin të pajisura me zinxhirë. Vetëm në mesditë ndërhyrja e Ndërmarrjes së Rruga-Urës ka sjellë zhbllokimin e trafikut e sidomos të autobusëve të linjës Himarë-Vlorë e Tiranë-Himarë, të cilët kanë qëndruar në pritje pikërisht në pikën më të lartë të Llogorasë. Kjo ndërmarrje hodhi në rrugë kripë dhe së bashku me policinë rrugore ndihmuan mjetet të kalonin Qafën e Llogorasë, 1290 metra mbi nivelin e detit. Disa pasagjerë të një autobusi treguan se shoferi kishte lënë ndezur makinën, duke vënë në punë ngrohësit e saj, në të kundërt temperaturat nën 0 gradë celsius mund të sillnin edhe probleme për jetën. Edhe pse makinat kanë qenë të pajisura me zinxhirë, por si pasojë ngricave Llogoraja për pak orë ka qenë e pakalueshme për automjetet. Sipas meteorologëve, trashësia e dëborës në Qafën e Llogorasë nuk ka qenë shumë e madhe në rrugë, por era e fortë dhe e ftohtë bëri që dëbora dhe uji të ngrinin dhe si pasojë, makinat pa zinxhirë të mos lejoheshin nga policia rrugore të kalonin.
Ndërhyrjet
Gjendja në segmentin e rrugës Vlorë-Himarë e pikërisht në Qafën e Llogorasë, sidomos gjatë ditës së djeshme, ka qenë tepër serioze në orët e para të mëngjesit nga ngricat e dëbora e orëve të natës. Edhe pse nga ana e pushtetit lokal dhe e policisë rrugore janë marrë masat e nevojshme, përsëri kalimi në këtë pikë rrugore është tejet e vështirë në mëngjes, ndërsa më vonë situata u normalizua. Gjithashtu, policia e qarkullimit rrugor bën me dije se për të kaluar në aksin rrugor Vlorë-Himarë e pikërisht në Qafën e Llogorasë duhen me patjetër automjetet të jenë të pajisura me zinxhirë, pasi në orët e mëngjesit dhe natës rruga ngrin si pasojë e temperaturave tepër të ulëta që ka mbërthyer jugun e vendit.
 
 
 
Durrës
 
“Sherr” për kolektorët
që shkaktojnë përmbytjet
 
 
Ministria e Mjedisit, gjoba për shfrytëzimin pa kriter të lumit Erzen
 
 
Aleks Kalemasi
DURRëS - Debate të ashpra janë zhvilluar dje lodhur me gjendjen e kolektorëve që shkaktojnë përmbytjet e shpeshta në Qarkun e Durrësit, gjatë një takimi të iniciuar nga Prefektura për konstituimin e organit këshillues të prefektit. Drejtori i ALUIZNI-t, Andi Lila, duke treguar në hartat e paraqitura me anë të një video-projektori, ka deklaruar se në katër kolektorët e ujërave të larta që kalojnë në Durrës gjenden shumë ndërtime pa leje dhe ato duhet të prishen. Më problematike paraqitet situata në kolektorët e Shkozetit dhe Plazhit, të cilët sipas Lilës, në pothuajse 60 për qind të gjatësisë së tyre janë të zënë nga urëza dhe rrugë të ndërtuara pa kriter. Në lidhje me problemin që është ngritur nga kreu i ALUZINI-t, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është shprehur se “shumë shpejt inspektorati ndërtimor i bashkisë do të merret me prishjen e tyre”. Nga ana tjetër, në lidhje me menaxhimin e mirë të këtyre kolektorëve, krye i këshillit të qarkut, Seid Kërtusha, ka propozuar që kolektorët të kalojnë në administrimin e njësive të pushtetit vendor, pasi Bordi i Kullimit dhe ndërmarrjet e bonifikimit nuk i mirëmbajnë dot dhe kështu shkaktohen përmbytje të njëpasnjëshme. Ismet Mavriqi, kryetar i Bashkisë së Fushë-Krujës është shprehur se ndërtimet pa leje vazhdojnë edhe pse tashmë ato quhen vepër penale pas miratimit të ligjit të legalizimeve. Mavriqi tha se ky është një alarm që e kemi vënë prej 20 vitesh dhe situata nuk ndryshon. Më tej ai ka vazhduar se “mbledhjet janë humbje kohe, ndërsa tokat tona po kthehen në këneta”. Në të njëjtën frymë është shprehur edhe kryetari i Bashkisë së Krujës, Lulëzim Guni, i cili ka deklaruar se, “në rast se nuk merren masat për parandalimin përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës, atëherë nuk është e nevojshme që të vijmë në mbledhje të tilla. Duhet ndërhyrje urgjente, sepse ka rrëshqitje në lagjen përballë kalasë, ndërsa një gur i madh në mal rrezikon gjithë qytetin nga shkëputja e tij”.
Ndërkaq, mësohet se Ministria e Mjedisit ka vendosur dje një numër gjobash për firmat që shfrytëzojnë pa kriter lumin Erzen. Penalizmi ka ardhur pas urdhrit të ministrit Mediu për ndalimin e marrjes së zhavorreve nga ky lumë, deri në përfundimin e një studimi.
 
 Banorët e përmbytur, në protestë për ujin e pijshëm
Në lagjen “Livadhe” ankohen se nuk kanë ujë, ndërsa thonë se vlerësimi për dëmet nga përmbytjet u bë në masën 10 për qind
 
 
SHKODëR - Dhjetëra banorë të lagjes “Livadhe” në qytetin e Shkodrës kanë protestuar pasditen e sotme mbi pasojat e përmbytjeve. Njëkohësisht, banorët janë shprehur të indinjuar për indiferencën që, sipas tyre, ka treguar qeveria shqiptare për ta. Me parulla në duar, banorët kërkojnë ndërtimin e ujësjellësit, pasi nga koha e përmbytjeve mënyra e vetme për të konsumuar ujin e pijshëm është ajo blerjes së ujit të ambalazhuar. Të pyetur në lidhje me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet masive të muajit janar, banorët shprehen se u është vlerësuar vetëm 10 për qind e dëmeve që pësuan. “As nuk kemi ujin që kishim dhe as jemi kompensuar. Na mbyti qeveria me dashje dhe akoma vazhdojmë që ujin e pijshëm ta blejmë dhe të mos kemi as kushtet minimale të jetesës”, shprehet njëri nga banorët protestues. Nën shiun e vazhdueshëm që ka rënë gjatë gjithë kohës që është zhvilluar protesta, banorët kanë vijuar të kërkojnë të reagimin e shtetit dhe ndihmën e mediave. “Ujin e pijshëm sot, pjesa më e madhe e banorëve, dalin e marrin në qytet. Ai që ka takat ta blejë, e blen, ndërsa ata që nuk kanë këtë mundësi dalin dhe e mbushin me bidonë. Ndërsa dëmet e shkaktuara nga përmbytja janë verifikuar jo në masën 100 për qind, por të themi në masën 10 për qind. Por më e keqja është se edhe ato që janë verifikuar kanë mbetur në letra, sepse te ne nuk ka mbërritur asnjë lloj dëmshpërblimi”.
Lagja “Livadhe” u përfshi nga uji për mëse dy javë në fillim të muajit janar dhe ishte një nga zonat më të dëmtuara nga përmbytjet që u shkaktuan si pasojë fryrjes dhe daljes nga shtrati të lumit Buna. Niveli i ujit në këtë zonë arriti deri në dy metra. Si rrjedhim, pjesa më e madhe e banesave u përmbyt nga uji, ndërsa një pjesë e banorëve u evakuuan nga forcat e ushtrisë.
 
 
 
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›