E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi kërkon përmbushjen e detyrave për procesin e integrimeve

Kryeministri Hashim Thaçi i ka kërkuar kabinetit të tij që të angazhohet maksimalisht në kryerjen e detyrave që dalin në kuadër të procesit të integrimit.

Ai në mbledhjen e Këshillit ndërministror për integrime ka thënë se qeveria e vendit është duke iu përmbajtur në mënyrë shumë strikte obligimeve të saj në atë mënyrë që nuk lejon hapësirë për komplikime të panevojshme.

Para se të dëgjojë angazhimet e secilit sektor qeveritar në përmbushjen e detyrave që dalin në kuadër të procesit të liberalizmit të vizave edhe studimit të fizibilitetit, kryeministri i vendit ka kërkuar përkushtim serioz nga secili dikaster.

Thaçi ka thënë se përmbushja e këtyre obligimeve duhet të bëhet sipas standardeve të larta.

“Tani duhet fokusuar të gjithë në implementimin e çështjeve që janë identifikuar se nevojiten të kryhen deri më 1 shtator 2012”, ka thënë Thaçi, siç transmeton RTK.

Për gjithë angazhimin që u ka kërkuar anëtarëve të kabinetit të tij, kreu i ekzekutivit ka përmendur një dobi të madhe sipas tij.

“Përmes pyetësorit dhe studimit të fizibilitetit ne po hapim rrugë drejt procesit të nënshkrimit të marrëveshjes së Satbilizm Asocimit”, ka thënë kryeministri.

Shumica e ministrave të kabinetit qeveritar kanë folur për punët që janë duke u kryer në kuadër të detyrave që dalin në kuadër të procesit të liberalizmit të vizave dhe strategjisë për integrim.

Për të parë se si kanë lëvizur gjërat rreth zotimit të autoriteteve kosovare për përmbushjen e këtyre detyrave ditë më parë në Kosovë ka qëndruar edhe një ekip fakt-mbledhës i Komisionit Evropian.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›